Shpërthimi me tritol ku humbi jetën Hysni Ymeri, Gjykata e Shkodrës lë në burg 4 të arrestuarit

Gjykata e Shkodrës ka vendosur masën “arrest me burg’ për 4 të arrestuarit lidhur me vrasjen e Hysni Ymerit.

Burime për mediat bëjnë me dije se Gert Bushati ka pranuar se është personi që ka vendosur sasinë e eksplozivit  në panelin e matësve elektrik, e cila shpërtheu dy ditë më pas duke i marrë jetën 67-vjeçarit.

Në deklaratën e tij në polici, Bushati ka thënë se tre të arrestuarit e tjerë Edison Hasaj, Gjergj Zefi dhe Ergys Ibrahimi janë personat që e kanë kontaktuar për të vendosur sasinë e tritolit.

Por këta të fundit janë shprehur se nuk kanë asnjë lidhje me tritolin dhe kanë mohuar se mund të jenë ata porositësit.

Pavarësisht kësaj policia ka sekuestruar telefona dhe ka përgjime si dhe një sërë provash të tjera që mund të implikojnë edhe këta tre persona. 

Ndaj 4 të arrestuarve të dyshuar, rëndojnë akuzat “vrasje me paramendime e kryer në bashkëpunim”, “shkatërrim i pronës me eksploziv”, “mbajta pa leje dhe prodhimi i armeve shpërthyese dhe i municionit”. Gjithashtu ndaj tyre rëndojnë akuzat për “prodhim dhe shitje e narkotikëve në bashkëpunim” si dhe “prishje e qetësisë publike”.