Shpërthim në Mitrovicën e Veriut, policia: Ishte një shok-bombë

Në orët e para të ditës së sotme një shpërthim i fuqishëm ka ndodhur në Mitrovicën e Veriut, aty ku prej disa javësh tensionet kanë qenë të vazhdueshme. Sipas Policisë, mjeti që ka shpërthyer dyshohet të ketë qenë shok-bombë.

Ngjarja ka ndodhur në orën 00:52 në lagjen Tre rrokaqiejt. Zyrtarët policorë, sipas njoftimit, “nuk kanë hasur në dëme anësore” nga ky shpërthim.

Shok-bombat nuk konsiderohen mjete shkatërruese. Megjithatë, ato prodhojnë zhurmë të madhe që çorienton shqisat.

Këto ngjarje vijnë në kohën kur tensionet në veri të Kosovës janë rritur që nga 26 maji, pasi kryetarët e rinj shqiptarë të komunave në veri – të banuara me shumicë serbe – kanë hyrë në ndërtesat komunale të Zveçanit, Leposaviqit dhe Zubin Potokut. Ata ishin zgjedhur si kryetarë ndërkohë që serbët nuk kishin pranuar të votonin.