Shisnin drogëra të forta në lokalet e natës në Himarë, arrestohen dy të rinj nga Gjermania dhe Anglia

Dy të rinj të huaj janë arrestuar nga policia e Himarës pasi janë kapur duke shitur drogëra të forta në lokalet e natës në jug.

Joseph Collison 32 vjeç nga Anglia dhe Lucas Joao de Melo 35 vjeç nga Gjermania, shisnin drogëra të forta si kokaina, ketamine e deri te LSD dhe ekstazia.

Materialet procedurale iu kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, për veprime të mëtejshme.

Njoftimi: 

Himarë/Vijon megaoperacioni policor i koduar “Tempulli 3”, goditet një rast i shitjes së drogave të forta.

Vihen në pranga 2 shtetas të huaj, të cilët posedonin me qëllim shitjen, sasi të drogave të forta kokainë, ketaminë, ekstazi dhe LSD.

Sekuestrohen sasitë e lëndëve narkotike, një peshore elektronike, një shumë parash dhe 2 celularë.

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve të DVP Vlorë, në vijim të veprimeve intensive operacionale të kryera në kuadër të megaoperacionit policor mbarëkombëtar, antidrogë, të koduar “Tempulli 3”, pasi kanë siguruar informacion se në Dhërmi, dy shtetas të huaj posedonin droga të forta me qëllim shitjen, kanë organizuar punën dhe si rezultat kanë kapur dhe arrestuar në flagrancë shtetasit: J. C., 32 vjeç, banues në Angli dhe L. J., 35 vjeç, banues në Gjermani.

Gjatë kontrollit në dhomat ku qëndronin këta shtetas, shërbimet e Policisë gjetën të fshehura sasi të drogave të forta kokainë, ketaminë, ekstazi dhe LSD, të cilat dyshohen se ata i posedonin me qëllim shitjen, kryesisht në lokalet e natës në Dhërmi. Sasitë e drogave u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, së bashku me një peshore elektronike, një shumë parash të dyshuara të përfituara nga kjo veprimtari kriminale dhe 2 celularë.

Materialet procedurale iu kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, për veprime të mëtejshme.