Shisnin bileta në treg të zi për ndeshjen Shqipëri-Serbi, tre të arrestuar

Tre persona janë arrestuar nga Policia e Tiranës. Ata akuzohen se kanë ngritur një skemë abuzive për shitjen e biletave në treg të zi për ndeshjen Shqipëri-Serbi.

Po ashtu janë proceduar dhe dy të tjerë, përfshirë një të mitur, të cilët përmes rrjeteve sociale kërkonin të shinsin bileta, që varionin nga 300-1000 euro.

Përballja mes Shqipërisë dhe Serbisë luhet më 7 qershor, në stadiumin Arena Kombëtare, e vlefshmie për kualifikueset e Botërorit 2026.

Njoftimi i Policisë:

Policia e Tiranës ka finalizuar operacionin e koduar “Attention”, pas zbulimit të një skeme të shitjes abuzive të biletave për ndeshjen Shqipëri–Serbi në rrjetin social Instagram.

Sipas autoriteteve, tre shtetas – L. M. (34 vjeç), A. T. (23 vjeç) dhe I. L. (24 vjeç) – janë arrestuar, ndërsa dy të tjerë, përfshirë një 16-vjeçar, janë proceduar në gjendje të lirë. Ata dyshohen për shitjen e biletave me çmime shumë më të larta se ato të përcaktuara nga Federata Shqiptare e Futbollit (FShF).

Operacioni u zhvillua nga specialistët për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare, ndërsa materialet procedurale janë dërguar në Prokurorinë e Tiranës për veprat penale “Manipulimi i tregut” dhe “Fshehja e të ardhurave”.