PS votoi kundër heqjes së imunitetit të Ballukut, raporti i KE: Shqetësim për funksionimin e kontrollit dhe balancës mes pushteteve

Progres raporti për Shqipërinë për vitin 2026 përfshin edhe protestat kundër qeverisë Rama, të cilat kanë nisur që prej majit të këtij viti.

Në progres raport evidentihet se ky është mobilizimi më i madh qytetar që prej tranzicionit demokratik të Shqipërisë, me dhjetëra mijëra pjesëmarrës në kulmin e protestave.

“Protestat u shndërruan në një lëvizje më të gjerë pakënaqësie ndaj qeverisë dhe partisë kryesore të opozitës, duke kërkuar më shumë transparencë, llogaridhënie, luftë kundër korrupsionit dhe mirëqeverisje. Ato ngritën gjithashtu shqetësime për koston e jetesës dhe mungesën e investimeve në fusha si arsimi dhe shëndetësia”.

Ndërkohë theksi vihet edhe te protestat e javëve të fundit, në të cilat janë shënuar incidente, ku bëhet thirrje për dialog mes palëve.

Pjesë nga progres raporti

Që nga maji i vitit 2026, në Tiranë po zhvillohen protesta të përditshme. Ky është mobilizimi më i madh qytetar që prej tranzicionit demokratik të Shqipërisë, me dhjetëra mijëra pjesëmarrës në kulmin e protestave. Ato nisën për shqetësime mjedisore të lidhura me punimet e ndërtimit në peizazhin e mbrojtur Pishë Poro–Nartë dhe kërkuan më shumë transparencë në dhënien e lejeve për projekte të përmasave të mëdha, përfshirë konsultimin me popullsinë vendase.

Protestat u shndërruan në një lëvizje më të gjerë pakënaqësie ndaj qeverisë dhe partisë kryesore të opozitës, duke kërkuar më shumë transparencë, llogaridhënie, luftë kundër korrupsionit dhe mirëqeverisje. Ato ngritën gjithashtu shqetësime për koston e jetesës dhe mungesën e investimeve në fusha si arsimi dhe shëndetësia.

Në shtator të vitit 2026, qeveria ndërmori një nismë për përmirësimin e procesit të konsultimit publik dhe të aksesit në informacion.

Në vijim të lëvizjes qytetare, në tetor të vitit 2026 u zhvilluan protesta të udhëhequra nga studentët, gjatë të cilave pati incidente të dhunshme mes protestuesve dhe Policisë së Shtetit. Protestuesit shkatërruan prona publike dhe private, ndërsa më pas u ngritën pretendime për përdorim të tepruar të dhunës nga policia ndaj protestuesve dhe gazetarëve.

Deri më tani nuk është zhvilluar asnjë dialog. Të gjitha palët duhet të bëjnë përpjekje të sinqerta për t’u angazhuar në një dialog konstruktiv.

Për Komisionin Europian, fakti që PS nuk pranoi kërkesën e SPAK për heqjen e imunitetit të ish-zv.kryeministres, Belinda Balluku, ngre shqetësime lidhur me funksionimin e mekanizmave të kontrollit dhe balancës ndërmjet pushteteve, si dhe respektimin e parimit të barazisë përpara ligjit.

Në progres-raport thuhet po ashtu se “Mbikëqyrja e ekzekutivit nga Parlamenti mbeti e dobët. Në shtator 2025, nuk u zhvillua asnjë debat domethënës mbi programin e qeverisë së re. Paraqitjet e anëtarëve të Këshillit të Ministrave në seancat e pyetjeve parlamentare ishin të parregullta”.

Pjesë nga progres-raporti për Shqipërinë

Mbikëqyrja e ekzekutivit nga Parlamenti mbeti e dobët. Në shtator 2025, nuk u zhvillua asnjë debat domethënës mbi programin e qeverisë së re. Paraqitjet e anëtarëve të Këshillit të Ministrave në seancat e pyetjeve parlamentare ishin të parregullta.

Shumica e nismave legjislative u paraqitën nga Këshilli i Ministrave. Edhe në rastet kur nismat paraqiteshin nga Parlamenti, ato vinin kryesisht nga partia në pushtet. Kjo dobësoi rolin dhe përgjegjësinë e Parlamentit në procesin legjislativ, si dhe kufizoi dialogun ndërmjet forcave politike.

Kërkesat e opozitës për ngritjen e komisioneve hetimore parlamentare u refuzuan sistematikisht, pa u zhvilluar asnjë debat.

Pas një vonese të gjatë, Parlamenti votoi kundër kërkesës së SPAK-ut për heqjen e imunitetit të një deputeti, pavarësisht kërkesave të përsëritura të opozitës për mbledhjen e Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin.

Kjo ngre shqetësime lidhur me funksionimin e mekanizmave të kontrollit dhe balancës ndërmjet pushteteve, si dhe respektimin e parimit të barazisë përpara ligjit.