Gara për kreun e PD-së po shoqërohet me kritika se fituesi është i paracaktuar që të jetë Lulzim Basha dhe se rivali i tij Gjergj Hani është vetëm një kandidat “i marrë me qira” sa për t’u dukur në sytë e publikut.
Basha dhe Hani kanë mbajtur dje një debat, nga të paktën 6 siç thuhet në vendimin e kryesisë së PD ndërsa asgjë nga takimi nuk u bë publik.
Basha publikoi disa foto ku shfaqet me Hanin, ndërsa shkruan se çfarë do t’ju ofrojë PD shqiptarëve, me sa duket i sigurt që do të jetë PD e tij.
Nga ana tjetër ka reaguar edhe Gjergji Hani, i cili përballjen e quajti përpjekje për teatër dhe jo debat real.
“U kërkoj organizatorëve dhe i bëj thirrje kandidatit rival të ecim në ballfaqimet e tjera me formatin klasik. Minutazh për prezantimin. Moderator i paanshëm, kohë e caktuar për pyetje nga salla dhe për pyetje ndaj njëri tjetrit. Çdo shpikje që e pengon ballafaqimin pengon garën. Dje në Elbasan u përdor një format që e kthen ballafaqimin në shfaqe. Ne kemi nevojë për ballafaqim, jo për shfaqe teatri.”- u shpreh Gjergj Hani, kandidat për kryetar të PD.
Basha po rikthehet përmes një procesi që nuk njihet as nga drejtuesit e lartë të PD zyrtare. Por gara e tij me Hanin po krahasohet edhe me atë të Edi Ramës dhe Maqo Lakrorit, në zgjedhjet e 2009. Në atë kohë Rama për të mos garuar “me veten” pas tërheqjes së Arben Malajt, vendosi Maqo Lakrorin si kundërshtar të tij. Madje ata të dy shkonin me të njëjtën makinë nëpër takimet elektorale.