Shehaj: Shqipëria në moment historik, drejtësia përballë presionit të të korruptuarve

Kreu i Partisë Mundësia, Agron Shehaj u ndal te zhvillimet politike në vend, si kërkesa e SPAK për arrestimin e zv.kryeministres, Belinda Balluku.

Në një intervistë për News24, Shehaj tha është e domosdoshme që zëri i qytetarëve që mbështesin drejtësinë të dëgjohet fort, për të treguar se shqiptarët janë në anën e ligjit dhe jo të të korruptuarve. Ai paralajmëroi për përpjekje të vazhdueshme për të marrë “peng drejtësinë” dhe për ta paraqitur procesin aktual si padrejtësi, duke manipuluar opinionin publik.

Ndërkohë nënvizoi se për herë të parë, zyrtarët e lartë në Shqipëri po përballen me drejtësinë.

Shehaj hodhi poshtë mundësinë e bashkimit pa kushte me forca të tjera opozitare, duke argumentuar se kjo do të rrezikonte besueshmërinë e Partisë Mundësia, veçanërisht nëse bashkëpunimi bëhet me subjekte që sulmojnë hapur SPAK-un dhe prokurorët.

Shehaj e krahasoi situatën aktuale me rënien e regjimit komunist, duke thënë se 35 vite më pas po ndodh një ndryshim historik, ku figura të fuqishme politike po dalin përpara drejtësisë.

Ai përmendi raste që më parë konsideroheshin të paimagjinueshme, si arrestimi i ish-kryebashkiakut Erion Veliaj dhe hetimet ndaj dy zëvendëskryeministrave radhazi, Ahmetaj dhe Balluku.