Kryetari i Partisë Mundësia, Agron Shehaj, ka folur në Kuvend në lidhje me reportazhin e RAI 3, i cili nëpërmjet fjalëve të ish-zv.kryeministrit Arben Ahmetaj, tregonte lidhjen mes qeverisë dhe mafiozëve e trafikantëve, të cilët takonin kryeministrin Rama në zyrën e këtij të fundit.
Shehaj thotë se investigimi i RAI 3 ka zëruar propagandën e Ramës, duke e nxjerrë kryeministrin siç është, i korruptuar dhe i rëndomtë, që ka vrarë demokracinë duke marrë pushtetin nëpërmjet krimit dhe parave të vjedhura.
“Investigimi i RAI3 ka ka zeruar propagandën e Edi Ramës, në Shqipëri dhe jashtë saj. Ka nxjerrë qeverinë sic është, një kryeministër i korruptuar lindor, i rëndomtë, që përdori hapësirat demokratike, pavarësisht se jo perfekte, për të marrë pushtetin me votë, dhe sot nëpërmjet parave të vjedhura dhe krimit, ka vrarë demokracinë dhe po ndalon me çdo mundësi rotacionin politik”, tha Shehaj.
Sipas tij, deklaratat e Ahmetajt, i cili ka qenë personi që e ka njohur më mirë Ramën, tregojnë se ë kryeministri i Shqipërisë ka një plan të mirëfilltë dhe beson në modelin e kanabizimit, pastrimit të parave dhe korrupsionit për të zhvilluar ekonominë e Shqipërisë.
“Prej 11 vitesh qeverisemi nga një kryeministër që beson se përmes trafiqeve, krimit, drogës dhe korrupsionit mund të zhvillojë Shqipërinë, mund t’i bëjë shqiptarët më të pasur. Ky është modeli i tij. Dhe në këtë situat, debati nuk mund të jetë nëse ka krim apo pastrim parash, por duhet të jetë; a e zhvillon vendin ky model? A i bën shqiptarët më të pasur”, u shpreh kreu i Mundësisë.
Për Shehajn, shqiptarët nuk duan modelin që Rama ka zgjedhur të qeverisë, me pastrim parash dhe krim, por duan një model të kundërt. Një model ku të punojnë dhe t’ia dalin vetë, një model perëndimor, që do t’i ndihmojë të pasurohen vetëm nëpërmjet punës.
“Modeli i korrupsionit, krimit, pandëshkueshmërisë, pastrimit të parave, kapjes së Ekonomisë, ju duhet ju për t’u pasuruar dhe për të mbajtur pafundësisht pushtetin. Por nuk është modeli qe duan shqiptarët. Shqiptarët duan të punojnë e t’ia dalin vetë. Nuk është ky modeli juaj që ata duan. Shqiptarët janë të neveritur nga qeveria, nga modeli juaj. Shqiptarët kanë frikë për fëmijët e tyre. Si mund të rrisësh fëmijët në një vend që sundon krimi, ku sundojnë bandat? Ky model nuk mund të funksionojë. Shqiptarët duan modelin perëndimor, duan të punojnë e t’ia dalin me djersën e ballit. Këtë duan dhe kjo është zgjidhja”, përfundoi Shehaj.