Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, ka deklaruar se Europa nuk mund të sigurojë mbrojtjen e saj pa mbështetjen e Shteteve të Bashkuara, duke theksuar se çdo ide për vetëmbrojtje pa SHBA-në është joreale.
“Nëse dikush mendon se Bashkimi Evropian, apo Europa në tërësi, mund të mbrohet pa SHBA-në, le të vazhdojë të ëndërrojë. Nuk mundeni. Ne nuk mundemi. Ne kemi nevojë për njëri-tjetrin,” tha Rutte gjatë një fjalimi në Parlamentin Evropian në Bruksel.
Shefi i NATO-s paralajmëroi se vendet evropiane do të duhej të rrisnin shpenzimet për mbrojtjen deri në 10 për qind të PBB-së nëse “vërtet do të donin ta bënin këtë të vetme”, duke shtuar se do të ishte e nevojshme edhe ndërtimi i kapaciteteve të veta bërthamore, me kosto prej miliarda eurosh.
“Në atë skenar, ju do të humbnit garantuesin përfundimtar të lirisë sonë, që është ombrella bërthamore e SHBA-së. Pra, fat të mbarë,” u shpreh ai.
Deklaratat vijnë pas një jave të trazuar për Evropën dhe aleatët perëndimorë, pasi presidenti amerikan Donald Trump vijoi të avancojë kërkesat e tij për pronësinë amerikane mbi Groenlandën, përpara se në Forumin Ekonomik Botëror në Davos të përjashtonte publikisht përdorimin e forcës për aneksimin e ishullit arktik.
Rutte lavdëroi gjithashtu Trumpin për ngritjen e çështjes së sigurisë në Arktik, duke pranuar se mbrojtja e tij ndaj presidentit amerikan mund të mos pritej mirë nga të gjithë të pranishmit.
“Mendoj se ai ka të drejtë. Ka një problem në rajonin e Arktikut. Ka një çështje të sigurisë kolektive, sepse këto rrugë detare po hapen gjithnjë e më shumë dhe sepse Kina dhe Rusia po bëhen gjithnjë e më aktive,” tha ai.
Sipas Rutte-s, do të ketë dy drejtime pune lidhur me çështjen e Groenlandës. I pari parashikon që NATO të marrë më shumë përgjegjësi kolektive për mbrojtjen e Arktikut, me qëllim parandalimin e aksesit ushtarak dhe ekonomik të Rusisë dhe Kinës në rajon.
Drejtimi i dytë përfshin vazhdimin e diskutimeve trepalëshe mes SHBA-së, Danimarkës dhe Groenlandës. Rutte theksoi se ai nuk do të jetë i përfshirë në këto bisedime, duke shtuar se nuk ka mandat për të negociuar në emër të Danimarkës.
Ministri i Jashtëm danez, Lars Løkke Rasmussen, dhe homologja e tij nga Groenlanda, Vivian Motzfeld, u takuan më herët këtë muaj në Uashington me zëvendëspresidentin JD Vance dhe sekretarin e Shtetit Marco Rubio. Rasmussen e përshkroi takimin si “konstruktiv”, por theksoi se vazhdon të ekzistojë një “mospajtim themelor”.
Një javë më vonë, Trump dhe Rutte u takuan në Davos, ku presidenti amerikan deklaroi se kishte arritur një kornizë marrëveshjeje për Groenlandën me shefin e NATO-s. Si pasojë, Trump tha se nuk do të vendoste tarifa ndaj vendeve evropiane që kishin kundërshtuar ambiciet e tij për të marrë nën kontroll territorin gjysmë-autonom të Danimarkës. Ende nuk është e qartë se çfarë përfshin kjo kornizë apo roli i saktë i Rutte-s në negociata, por kthesa e papritur e Trumpit e ka rikthyer edhe një herë vëmendjen mbi sekretarin e përgjithshëm të NATO-s.