SHBA vendos sanksione të reja ndaj kompanive dhe anijeve që transportojnë naftë venezueliane

Shtetet e Bashkuara kanë shpallur sanksione të reja kundër disa kompanive të transportit detar dhe anijeve që, sipas tyre, ndihmojnë në lëvizjen e naftës venezueliane, duke shtuar presionin ndaj regjimit të Nicolas Maduro-s. Masa vjen vetëm një ditë pasi forcat amerikane sekuestruan një anije me naftë të  sanksionuar në ujërat ndërkombëtare pranë Venezuelës.

Në listën e sanksioneve janë përfshirë edhe tre nipa të bashkëshortes së Maduro-s, Cilia Flores, si dhe një tjetër biznesmen i afërt me regjimin. Disa prej tyre më parë kanë qenë të dënuar në SHBA për trafik droge.

Sipas Departamentit të Thesarit, gjashtë anijet e sanksionuara janë përfshirë në praktika mashtruese dhe të pasigurta të transportit detar, duke gjeneruar të ardhura për qeverinë e Maduro-s. Anijet mbajnë flamur të Panamasë, Ishujve Cook dhe Hong Kongut.

Sanksionet e reja thellojnë fushatën shumëmujore të presionit të administratës amerikane, e cila ka përfshirë lëvizjen e forcave ushtarake në Karaibe, goditje ndaj mjeteve të dyshuara të trafikut dhe paralajmërime të vazhdueshme ndaj Maduro-s.

Të mërkurën, SHBA sekuestroi një tanker që dyshohet të ketë qenë pjesë e një rrjeti të paligjshëm transporti nafte që lidh Venezuela-n me vende si Irani. Anija dyshohet se transportonte rreth 1.8 milionë fuçi naftë, me vlerë të afërt me 84 milionë dollarë.

Industria e naftës në Venezuelë, ndonëse vendi ka rezervat më të mëdha të njohura të naftës bruto në botë, prej vitesh vuan nga sanksionet dhe kriza e thellë ekonomike. Megjithatë, kompania shtetërore PDVSA mbetet burimi kryesor i të ardhurave për regjimin, falë edhe rrjeteve të anijeve që operojnë në mënyrë të fshehtë.

Ekspertët paralajmërojnë se sanksionet e reja dhe sekuestrimet e anijeve mund të krijojnë pasiguri në tregtinë e naftës venezueliane, duke rritur kostot dhe duke ulur numrin e anijeve të gatshme për të hyrë në portet e vendit.

Anija e sekuestruar, e njohur si “Skipper”, po udhëtonte drejt Kubës kur u ndalua. Ajo më parë ishte sanksionuar për bashkëpunim me rrjete të lidhura me Iranin dhe Hezbollah-un, ndërsa të dhënat satelitore tregojnë se kishte fshehur pozicionin e saj gjatë ngarkimit në Venezuelë.

Administrata amerikane ka njoftuar se tankeri do të dërgohet në një port të SHBA-së, ku autoritetet synojnë të marrin kontrollin e ngarkesës. Nga ana tjetër, Maduro e ka quajtur veprimin “pirateri detare” dhe ka paraqitur ankesë në Organizatën Ndërkombëtare Detare.

Analistët thonë se, nëse SHBA intensifikon sekuestrimet e anijeve ose ngarkesave, shumë pronarë mund të heqin dorë nga transporti i naftës venezueliane për shkak të rrezikut të lartë, duke goditur edhe më tej eksportet e vendit.