Gjykata i rrëzoi kërkesën, Veliaj largon avokatin se nuk e nxori nga kafazi i qelqtë, shtyhet seanca

Në GJKKO u zhvillua ditëne  sotme seanca paraprake për dosjen “Veliaj”, ku i pranishëm ishte edhe vetë kryebashkiaku i Tiranës.

Veliaj kërkoi sërish nga Gjykata që të dalë nga kafazi i qelqtë në sallën e gjyqit dhe për të qëndruar pranë avokatit, por kërkesa e tij u rrëzua nga gjyqtari. Një tjetër kërkesë që u rrëzua ishte edhe ajo për t’u njohur me dosjen prej 60 mijë faqesh.

Pas vendimit të gjyqtares  Etleva Deda, Veliaj komunikoi heqjen nga mbrojtja të avokatit Artan Gjermeni, ndërsa gjykata caktoi Valentina Teodoreskun avokate kryesisht.

SPAK ia ka vënë në dispozicion dosjen Veliaj nëpërmjet një USB-je, por kryebashkiaku nuk e lexon dot për shkak se në burg nuk lejohen kompjuterët. Kryebashkiaku ka akuzuar GJKKO-në për dy standarde, pasi ish-Presidentit Meta i është vënë në dispozicion dosja e tij. Seanca është shtyrë për në datën 5 Janar.

“Posaçërisht, i sjellim në vëmendje kësaj Gjykate se në procedimin penal nr.55 të vitit 2019, në seancën e datës 04.12.2025, e njëjta kërkesë për njohje dhe kopje të akteve është paraqitur nga vetë i pandehuri në seancë, dhe nga ana e Gjykatës kjo kërkesë është pranuar, duke urdhëruar organin procedues që ti mundësoj të pandehurit në paraburgim kopje të akteve të kërkuara personalisht nga ai. Rasti e sjell që edhe në procedimin penal nr. 55/2019, një nga përfaqësuesit e organit të akuzës përkon si në procedimin e relatuar dhe në procedimin ndaj të pandehurit Erion Veliaj.

Duke patur parasysh mënyrën e ndryshme të vendimmarrjes së kësaj Gjykate për procedimin kundër të pandehurit Erion Veliaj si dhe nevojën për të garantuar trajtim të barabartë të të pandehurve në zbatimin e nenit 34/a dhe 327 pika 2 dhe 3, mbi të drejtën e njohjes dhe marrjes së kopjes së akteve, personalisht nga i pandehuri, konstatojmë se qëllimi i kësaj kërkese është të vendoset i njëjti standard për mënyrën e procedimit dhe palët pjesëmarrëse në gjykimin e pranë kësaj Gjykate”, thuheh në kërkesën e Veliajt.