Rrjeti SafeJournalists dënon mesazhin kërcënues të dërguar ndaj gazetarit shqiptar Osman Stafa më 11 dhjetor 2025, pas raportimeve të tij mbi kushtet dhe mangësitë e shërbimeve në Spitalin Onkologjik të Tiranës.
Mesazhi anonim në Instagram, i shkruar me gjuhë vulgare dhe agresive, e paralajmëronte hapur të mos kthehej më në Onkologjik, duke synuar qartësisht ta frikësonte dhe ta pengonte në ushtrimin e punës së tij gazetareske.
Osman Stafa gazetar pranë medias News24, është gjerësisht i njohur për raportimet e tij mbi çështjet e shëndetësisë, korrupsionit dhe sigurisë publike. Raportimet e tij të fundit kanë zbuluar probleme të vazhdueshme në Onkologjik, përfshirë mungesën e medikamenteve thelbësore, pajisjet jofunksionale, mangësitë administrative dhe praktikat që dëmtojnë pacientët. Duke ndarë dëshmi të pacientëve dhe familjarëve për trajtim të pamjaftueshëm dhe kosto të larta, ai ka kontribuar në rritjen e ndërgjegjësimit publik dhe kërkesës për llogaridhënie institucionale.
Rrjeti SafeJournalists përshëndet faktin që Stafa paraqiti menjëherë një kallëzim zyrtar në Policinë e Shtetit dhe se hetimet kanë nisur. Megjithatë, theksojmë se kërcënimet ndaj gazetarëve përbëjnë një sulm serioz ndaj lirisë së medias dhe kërkojnë një reagim institucional të menjëhershëm, të plotë dhe efektiv.
Ne u bëjmë thirrje autoriteteve shqiptare, veçanërisht Policisë së Shtetit dhe Prokurorisë, të sigurojnë që ky rast të trajtohet me prioritet, autorët të identifikohen dhe të ndiqen penalisht, dhe gazetarët të kenë mundësi të raportojnë lirisht për çështje me interes publik, përfshirë funksionimin e institucioneve shëndetësore, pa patur frikë nga hakmarrja.
Rrjeti SafeJournalists shpreh solidaritet të plotë me Osman Stafën dhe do të vazhdojë të monitorojë zhvillimet e këtij rasti.
Çdo sulm ndaj gazetarëve është një sulm ndaj demokracisë, interesit publik dhe të drejtave themelore të njeriut.