Administrata Trump ka vendosur sanksione ndaj ish-komisionerit evropian Thierry Breton dhe katër shtetasve të tjerë evropianë, duke i ndaluar hyrjen në territorin e Shteteve të Bashkuara, në kuadër të një pakete masash që Uashingtoni i përshkruan si kundër “censurës digjitale”.
Sanksionet përfshijnë edhe revokimin e vizave amerikane për shtetasit britanikë Imran Ahmed dhe Clare Melford, drejtues respektivisht të organizatave Centre for Countering Digital Hate dhe Global Disinformation Index. Sipas mediave britanike, Ahmed, i cili aktualisht jeton në Uashington, rrezikon dëbim të menjëhershëm nga SHBA.
Në listën e ndalimeve janë përfshirë edhe gjermanet Anna-Lena von Hodenberg dhe Josephine Ballon, drejtuese të organizatës jofitimprurëse Hate Aid, e cila monitoron përhapjen e dezinformimit online, veçanërisht nga grupe të ekstremit të djathtë.
Ky veprim shihet si pjesë e përplasjeve të vazhdueshme mes SHBA-së dhe aleatëve evropianë mbi rregullimin e platformave digjitale amerikane dhe gjigantëve të teknologjisë, përfshirë rrjetin social X në pronësi të Elon Musk, i cili këtë muaj u gjobit me 120 milionë euro nga BE për shkelje të ligjit mbi moderimin e përmbajtjes.
Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, i cilësoi personat e sanksionuar si “aktivistë radikalë”, duke i akuzuar se kanë ushtruar presion mbi platformat amerikane për të “censuruar, demonetizuar dhe shtypur pikëpamjet amerikane”.
Ndërkohë, zëvendëssekretarja e Shtetit për Diplomacinë Publike, Sarah Rogers, deklaroi se ish-komisioneri francez Thierry Breton ishte “arkitekti kryesor” i Aktit për Shërbimet Digjitale (DSA), ligj kyç i BE-së që ka mundësuar gjoba të mëdha ndaj kompanive amerikane si Apple dhe Meta, si dhe hetime ndaj X për përhapje dezinformimi.
Rogers akuzoi gjithashtu Imran Ahmed për bashkëpunim me administratën Biden në “instrumentalizimin e qeverisë kundër qytetarëve amerikanë”, ndërsa Global Disinformation Index u akuzua për përdorim fondesh publike për të nxitur censurë dhe lista të zeza ndaj mediave amerikane.
Reagimet nga Evropa kanë qenë të ashpra. Ministri i Jashtëm i Gjermanisë, Johann Wadephul, e cilësoi masën si “të papranueshme”. Vetë Breton krahasoi situatën me “gjuetinë e shtrigave” të senatorit amerikan Joseph McCarthy, duke theksuar se DSA është miratuar nga shumica e Parlamentit Evropian dhe nga të gjitha 27 shtetet anëtare të BE-së.
Komisioni Evropian, në një deklaratë zyrtare, tha se liria e shprehjes është një vlerë themelore e përbashkët mes BE-së dhe SHBA-së, duke shtuar se ka kërkuar sqarime nga Uashingtoni dhe se do të reagojë “shpejt dhe me vendosmëri” nëse masat konsiderohen të pajustifikuara.
Ekspertë të politikave teknologjike vlerësojnë se sanksionet mund të jenë një taktikë negociuese e Shtëpisë së Bardhë për të ushtruar presion ndaj BE-së, pa rrezikuar përshkallëzim në luftëra të reja tregtare që mund të dëmtojnë ekonominë amerikane.