Shtetet e Bashkuara kanë përshëndetur vendimin e Shqipërisë për të riatdhesuar pesë shtetas shqiptarë nga kampet në Siri. Bëhet fjalë për dy gra dhe tre fëmijë, të cilët janë kthyer në Shqipëri pasi kanë kaluar vite në kampet siriane.
Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Ambasada Amerikane vlerësoi angazhimin e Shqipërisë, duke e konsideruar operacionin një hap të rëndësishëm si për familjet e prekura, ashtu edhe për sigurinë ndërkombëtare.
“Shtetet e Bashkuara vlerësojnë Shqipërinë për riatdhesimin e shtetasve të saj nga Siria, dy gra dhe tre fëmijë të kthyer së fundmi, të cilëve u mundësohet një e ardhme me mbështetje për rehabilitim dhe riintegrim. Një fitore për këto familje dhe për sigurinë globale”, thuhet në reagimin e Ambasadës.
Pesë shqiptarët mbërritën në aeroportin e Rinasit më 26 gusht, rreth orës 01:20, pasi udhëtuan nga Turqia.
Mes të rikthyerve është edhe Hajrije Taushani, e cila u largua drejt Sirisë vite më parë në përpjekje për të gjetur nipërit e saj. Ajo kishte udhëtuar drejt zonës së konfliktit pas humbjes së djalit të saj, i cili ishte bashkuar me ISIS-in dhe humbi jetën në moshën 35-vjeçare.
Taushani kaloi rreth 12 vite në kampin Al-Hol. Kur u largua nga Shqipëria ishte 67 vjeçe, ndërsa tashmë është rikthyer në vend në moshën 79-vjeçare.
Mes fëmijëve të kthyer ndodhet edhe mbesa e saj, tashmë 17 vjeçe. Një tjetër fëmijë, 9 vjeç, është jetim dhe kishte qenë nën kujdesin e Taushanit gjatë periudhës së qëndrimit në kamp.
Pjesë e grupit është edhe Myrvete Dibra, e cila kishte qëndruar në kampet siriane së bashku me vajzat e saj. Fillimisht ajo ishte në Al-Hol dhe më pas u transferua në kampin Roj.
Sipas raportimeve të mediave të huaja, Dibra ka qenë e martuar me shtetasin malazez Hamid Beharović, i cili është dënuar në Mal të Zi për pjesëmarrje në formacione të armatosura të huaja.
Me kthimin e këtyre pesë shtetasve, numri i shqiptarëve të riatdhesuar nga Siria shkon në 43.
Megjithatë, procesi nuk ka përfunduar. Në kampet dhe burgjet e Sirisë dyshohet se ndodhen ende shtetas shqiptarë. Sipas të dhënave të bëra publike, rreth 17 gra dhe fëmijë, kryesisht të mitur dhe jetimë, mbeten ende në Siri, ndërsa 10 burra shqiptarë ndodhen në burgje.
Për një pjesë të personave që kanë shkuar në Siri ende nuk ka informacion të plotë mbi fatin e tyre.