Këtë të premte ekspertët amerikanë janë paraqitur sërish në SPAK. Ata janë parë duke hyrë në ambientet e Prokurorisë së Posaçme mesditën e kësaj të premteje.
Përfaqësuesit amerikanë të OPDAT u rikthyen në SPAK, pasi ndërprenë punën për rreth një muaj, duke konfirmuar edhe një herë se mbështetja amerikane për drejtësinë e re në Shqipëri nuk ndryshon, pavarësisht se kush është në krye të administratës së Uashingtonit.
Te mërkurën ekspertet asistues, kanë zhvilluar një takim me prokurorët e posaçëm, të cilëve iu kanë njoftuar vendimin e administratës amerikane për rikthimin në pozicionet e mëparshme të tyre.
OPDAT është një program i Departamentit të Drejtësisë së Shteteve të Bashkuara te Amerikës, i krijuar për të asistuar në vendet partnere në forcimin e sistemeve të tyre të drejtësisë.
Ky program fokusohet në trajnimin e prokurorëve, gjyqtarëve dhe agjencive ligjzbatuese për të luftuar krimin e organizuar, korrupsionin, apo trafikimin e qenieve njerëzore dhe terrorizmin.