Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç tha se vendin e tij e pret një periudhë e vështirë me probleme pasi Perëndimi shumë shpejt do të dalë me një tekst për Asociacionin e komunave me shumicë serbe.
Sipas tij Serbia nuk do të pyetet fare, por kjo nuk është diçka e re për të.
Lideri serb shtoi se Beogradi po “bën më të mirën për të ruajtur paqen dhe gjithmonë jemi të gatshëm për kompromise”.
“Pres shumë situata të vështira për ne në periudhën e ardhshme dhe jam pothuajse i sigurt që perëndimorët do të dalin me një ide gjeniale për të na ofruar ne tekstin e statutit, për të cilin nuk do të na pyesin fare. Prandaj, pres shumë, shumë probleme. Por, kjo nuk është diçka e re. Ka shumë nervozizëm për situatën në Ukrainë dhe disa mendojnë se ne duhet të paguajmë çmimin për mospërmbushjen e pritjeve të tyre”, tha Vuçiç në Valevë të Serbisë.
Për jetësimin e Marrëveshjes për Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë, aktualisht ekzistojnë katër draft-statute dhe draft-vizione: Draft-statuti i Ekipit Menaxhues, draft-vizioni i kryeminstrit të Kosovës, Albin Kurtit, draft-statuti i kryeminsitrit të Shqipërisë, Edi Ramës, dhe draft-statuti për Asociacionin i hartuar nga organizata gjermane Friedrich-Ebert-Stiftung (FES).
Serbia kërkon që Kosova të zbatojë marrëveshjet për Asociacionin, por Qeveria aktuale e Kosovës e udhëhequr nga kryeministri Albin Kurti, është deklaruar kundër një asociacioni njëetnik.