Sekuestrohet pallati me 3 kate pa leje në Tiranë, objekti ishte pa certifikatë përdorimi

Një objekt banimi dhe shërbimi në rrugën “Llukë Kaçaj”, në Njësinë Administrative nr. 4 në Tiranë, është konfiskuar për interes publik pas konstatimit të shkeljeve të rënda ligjore në ndërtim dhe përdorim.

Sipas verifikimeve të kryera nga autoritetet, objekti ishte ndërtuar në tejkalim të lejes së miratuar. Konkretisht, në pallatin e miratuar si 9-katësh ishin shtuar pa leje katet e 10-të dhe të 11-të, ndërsa ishte ndërtuar edhe një pjesë e katit të 12-të.

Gjithashtu, autoritetet konstatuan se godina ishte vënë në shfrytëzim pa u pajisur me certifikatën e përdorimit, në kundërshtim me legjislacionin në fuqi.

Ndërtimi i objektit ishte nisur fillimisht nga Mirsim Jella, i cili sipas burimeve nuk ka mundur ta përfundojë për shkak të problemeve financiare, dhe më pas projekti është vijuar nga Adriatik Shtëmbari.

Njoftimi:

Konfiskohet për interes publik, objekt banimi dhe shërbimi në rrugën “Llukë Kaçaj”, ndërtuar dhe përdorur në kundërshtim me ligjin. Si rezultat i një aksioni të përbashkët ndërmjet strukturave të Policisë së Shtetit dhe atyre të Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit, Bashkia Tiranë, nëpërmjet Drejtorisë së Monitorimit dhe Zbatueshmërisë së Lejeve të Ndërtimit, ndërmarrë në zbatim të ligjit dhe në mbrojtje të interesit publik, është konfiskuar për interes publik, objekt banimi dhe shërbimi, në rrugën “Llukë Kaçaj”, Njësia Administrative Nr. 4, Tiranë.

Nga verifikimet e kryera rezultoi se ishte ndërtuar në tejkalim të lejes së ndërtimit, kati i 10 dhe i 11 i objektit 9-katësh dhe një pjesë e katit të 12 të tij.

Gjithashtu, u konstatua se objekti ishte vënë në shfrytëzim, pa certifikatë përdorimi. Referuar Aktit Normativ Nr. 8, datë 01.10.2025, tejkalimi rezultoi mbi pragun ligjor 10% të parashikuar për masën e konfiskimit për interes publik.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme. Gjithashtu, specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare në Departamentin e Policisë Kriminale dhe shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 4 Tiranë, kanë referuar disa herë materiale procedurale në Prokurori, për shkelje të konstatuara në këtë objekt.

Policia e Shtetit mbetet maksimalisht e angazhuar për të bashkëpunuar ngushtë me të gjitha agjencitë ligjzbatuese të ngarkuara për kontrollin e territorit, me qëllim parandalimin, konstatimin dhe goditjen e rasteve të ndërtimeve të paligjshme dhe krimeve kundër mjedisit në tërësi.