Kryeministri Edi Rama dhe ministri për Europën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, kanë reaguar pas raportimeve mbi të ardhmen e marrëveshjes mes Shqipërisë dhe Italisë për qendrat e emigrantëve në Gjadër.
Debati nisi pas një interviste të ministrit Hoxha për median europiane Euractiv, ku u raportua se marrëveshja nuk do të rinovohej pas përfundimit të afatit 5-vjeçar në vitin 2029.
Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Hoxha sqaroi se deklarata e tij është keqinterpretuar dhe nxjerrë jashtë kontekstit. Ai shpjegoi se ishte pyetur nga një gazetar në Bruksel nëse protokolli me Italinë do të rinovohej pas periudhës fillestare pesëvjeçare.
Sipas kryediplomatit, përgjigjja e tij ishte: “Nuk jam i sigurt, duke supozuar se deri atëherë Shqipëria do të jetë një shtet anëtar i Bashkimit Europian dhe situata, për rrjedhojë, do të jetë ndryshe”.
Hoxha theksoi se kjo nuk përbën një vendim apo ndryshim të qëndrimit të qeverisë shqiptare, por “një reflektim të çastit, të shprehur me sinqeritet dhe spontanitet”.
“Shprehje të shkëputura nga konteksti shndërrohen shumë shpesh në narrativa që nuk pasqyrojnë as thelbin e diskutimit dhe as qëndrimin real të qeverive”, shkruan ministri.
Në mbështetje të deklaratës së Hoxhës ka reaguar edhe kryeministri Edi Rama, i cili akuzoi median europiane për citim të pasaktë të ministrit të Jashtëm.
Rama ritheksoi se marrëveshja me Italinë për qendrat e emigrantëve do të vijojë të jetë në fuqi për aq kohë sa pala italiane do ta kërkojë këtë.
“Të gjithë gazetarëve nga Italia dhe jo vetëm, që po kontaktojnë lidhur me një citim të pasaktë të publikuar nga një media pas një interviste me ministrin e Jashtëm shqiptar: dua të ritheksoj, qartë dhe shpresoj njëherë e përgjithmonë, se Protokolli ynë me Italinë do të mbetet në fuqi, për aq kohë sa Italia ta dëshirojë këtë”, deklaroi Rama.