Në gjyq me Bashkim Ulajn, reagon Shehaj: Nuk tërhiqem. Do jem gjithmonë krah qytetarëve të pambrojtur! (VIDEO)

Kryetari i Partisë Mundësia Agron Shehaj e ka quajtur çmenduri paraqitjen e sipërmarrësit Bashkim Ulaj në Gjykatën e Posaçme GJKKO këtë të martë, ku ka ngritur një padi ndaj tij dhe deputetit Erald Kapri.

Në një reagim në rrjetet sociale, kreu i Mundësia, Shehaj thotë se Bashkim Ulaj është një biznesmen i cili figuron si një nga përfituesit më të mëdhenj të investimeve infrastrukturore me ‘bekimin’ e qeverive që kanë drejtuar vendin në 35 vitet e fundit.

Po ashtu Shehaj sjell në vëmendje edhe përgjimet në dosjen e SPAK që po heton Belinda Ballukun, ku emri i Ulajt lakohet si ‘ushtari’ të cilit ish zv.kryeministrja Balluku ka pranuar se “po i bëj nderin e jetës” me tenderin për ndërtimin e rrugës Thumanë-Kashar.

“Imagjinoni çfarë ka ndodhur. Ky zotëria këtu, që ka shkuar në SPAK, është Bashkim Ulaj.

Bashkim Ulaj është një nga përfituesit më të mëdhenj, është një oligark që ka përfituar jo vetëm nga kjo qeveri, por nga të gjitha qeveritë në këto 35 vjet. Rasti i fundit është Thumanë-Kashar. Dhe ka shkuar atje jo për të dhënë llogari për çfarë ka bërë, po ka shkuar aty për të më kërkuar llogari mua dhe Eraldit pse kemi dalë në mbrojtje të banorëve të Rrjollit. Pse nuk e kemi lënë Bashkim Ulajn dhe ish-drejtorin e hipotekës, të bëjnë çfarë të duan me pronat e banorëve të Rrjollit. Çmenduri! Çmenduri!

Ndërkohë, para disa muajsh kanë dalë përgjimet ku Belinda Balluku thotë për Bashkim Ulajn, pikërisht për Bashkim Ulajn, thotë shprehimisht: “Unë po i bëj nderin e jetës me Thumanë-Kashar, ndaj ai do të bëhet copë. Mund të bëhet shumë ushtar.”

Tani Bashkim Ulaj nuk ka asnjë siklet. Por në vend që të japë llogari për këtë, shkon në SPAK dhe akuzon ne për shpifje. Pse? Ju dalim në mbrojtje banorëve të Rrjollit”, shprehet Shehaj.

Ndër të tjera kreu i Mundësia thekson se sipërmarrësi “që del në përgjimin e zv.kryeministres për një aferë prej 1.3 miliardë €, në vend që të japë llogari, dhe të kërkojë ndjesë dhe të dorëzojë mallin që ka vjedhur, shkon aty pa pikë turpi, thotë: “Agroni dhe Eraldi kanë shpifur ndaj meje sepse kanë marrë anën e banorëve të Rrjollit”.

Shehaj thekson se politika është mjeti me të cilën realizon qëllimin për të qëndruar në krah të qytetarëve shqiptarë të cilët vuajnë abuzimet dhe padrejtësitë e zyrtarëve të korruptuar të shtetit shqiptar.

“Por kjo është arsyeja pse kemi hyrë në politikë. Që të dalim në krah të atyre të cilëve Bashkim Ulaj dhe shokët e tij oligarkë ju kanë nxirë jetën në këto 35 vjet. Ju kanë marrë shpirtin, ju kanë marrë pronën. Ua kanë bërë jetën të pamundur në Shqipëri”.

Teksa paralajmëron se nuk do të ndalet së ngrituri zërin për padrejtësitë që kanë lidhje sidomos me pronat e qytetarëve, një e drejtë e shenjtë për të cilën ende shqiptarët po vuajnë.

“Nuk ndalemi! Do të jemi gjithmonë në anën e qytetarëve shqiptarë të pambrojtur”.

Padia e Ulajt ndaj dy deputetëve të Partisë Mundësia u bë pas deklaratave të Shehajt dhe Kaprit në mbështetje të banorëve të Rrjollit të cilët janë ngritur në protestë për më shumë se 3 muaj pasi në tokën që ata thonë se e kanë të trashëguar nga të parët e tyre, biznesmeni ka nisur ndërtimin e një resorti.

Reagimi i plotë i Agron Shehajt:

Imagjinoni çfarë ka ndodhur. Ky zotëria këtu, që ka shkuar në SPAK, është Bashkim Ulaj.

Bashkim Ulaj është një nga përfituesit më të mëdhenj, jo vetëm nga kjo qeveri, por nga të gjitha qeveritë në këto 35 vjet. Dhe ka shkuar atje jo për të dhënë llogari për çfarë ka bërë, po ka shkuar aty për të na kërkuar llogari mua dhe Eraldit pse kemi dalë në mbrojtje të banorëve të Rrjollit. Pse nuk e kemi lënë ne Bashkim Ulajn dhe ish-drejtorin e Hipotekës, të bëjnë çfarë të duan me pronat e banorëve të Rrjollit. Çmenduri! Çmenduri!

Ndërkohë, para disa muajsh kanë dalë përgjimet ku Belinda Balluku thotë për Bashkim Ulajn, pikërisht për Bashkim Ulajn, thotë që: “Unë po i bëj nderin e jetës me Thumanë-Kashar, ndaj ai do të bëhet copë. Mund të bëhet shumë ushtar.”

Tani Bashkim Ulaj nuk ka asnjë siklet. Por në vend që të japë llogari për këtë, shkon në SPAK dhe akuzon ne, për shpifje. Pse? Ju dalim në mbrojtje banorëve të Rrjollit.

Por kjo është arsyeja pse kemi hyrë në politikë. Që të dalim në krah të atyre të cilëve Bashkim Ulaj dhe shokët e tij oligarkë ju kanë nxirë jetën në këto 35 vjet. Ju kanë marrë shpirtin, ju kanë marrë pronën. Ua kanë bërë jetën të pamundur në Shqipëri. Prandaj jemi në politikë. Ne, po nuk u morëm me ta, po nuk u dolëm në mbrojtje atyre, pse jemi në politikë?!

Kështu që ne nuk ndalemi, pavarësisht këtij absurdi, ku një oligark që del në përgjimin e zv.kryeministres për një aferë prej 1.3 miliardë €, në vend që të japë llogari, dhe të kërkojë ndjesë dhe të dorëzojë mallin që ka vjedhur, shkon aty pa pikë turpi, thotë: “Agroni dhe Eraldi kanë shpifur ndaj meje sepse kanë marrë anën e banorëve të Rrjollit”.

Nuk ndalemi! Do të jemi gjithmonë në anën e qytetarëve shqiptarë të pambrojtur.