Ish kryeministri Sali Berisha, ka dalë në konferencën e përjavshme për mediat, ku komentoi edhe kryesimin e Këshillit të Sigurimit të OKB nga Edi Rama.
Berisha tha se aplikimi për të drejtuar përkohësisht KS nga Shqipëria është bërë në vitin 2007, kur në qeveri ishte ai. Ndërkohë e quajti skandal faktin që Rama mori me vete në OKB djalin e tij të vogël. Sipas tij kjo ka ndodhur më parë vetëm me Lukashenkon.
“Në vitin 2007 Shqipëria aplikoi për të qenë anëtare e përkohshme e Këshillit të Sigurimit dhe kjo u miratua menjëherë. Në vitin 2022, Shqipëria, Gaboni, Gana, Brazili dhe një vend tjetër zgjidhen anëtarë të përkohshëm të Këshillit të Sigurimit. Problemi është se ne u bëmë vendi i parë në historinë e atij institucioni që kryesohet nga një person delikuent në hetim ndërkombëtar.
Në vitin 2007 kur ndodhi ky event, unë isha në OKB në Asamble dhe vendosa të shkoj për të marrë pjesë në një seancë si spektator. Cfarë të shoh unë, seancën e kryesonte kolonel Gadaffi. Ai ishte njeriu në mos gaboj, i treti pas Kastros dhe Ahmadinexhadit, që flisnin 2-3 orë pa e lëshuar platformën.
Edi Rama fatmirësisht kësaj here nuk foli, sepse kishte rekordin e Lukashenkos. Edhe ai fillonte e s’dinte kur mbaronte. I vetmi përfaqësues që kisha parë të merrte djalin e vogël me vete, ishte Lukashenko, a thua se të tjerët nuk kishin fëmijë. Edi Rama bëhet i dyti pas Lukashenkos që shkon në Asamble bashkë me djalin në shkollë fillore”, tha Berisha.