Sali Berisha del nga SPAK: Gjeta atmosferë mortore! Nuk u mor vesh kush drejtoi pyetje më shumë, ata mua apo unë atyre

Ish-kryeministri Sali Berisha ka dalë nga ambientet e SPAK, ku u pyet për më shumë se 1 orë nga prokurorët e posaçëm, Arben Kraja dhe Enkeleda Millonai për privatizimin e kompleksit Partizani, për të cilën është akuzuar për korrupsion pasiv.

Ai deklaroi për mediat se kishte gjetur në SPAK një atmosferë mortore, teksa tha se u kishte thënë prokurorëve se ishte paraqitur në Prokurorinë e Posaçme për të rrëzuar piramidën e tyre të mashtrimeve dhe grupin e tyre të strukturuar kriminal me Edi Ramën.

I pyetur nga gazetarët se çfarë pyetjesh i kishin drejtuar prokurorët, duke qeshur Berisha tha se nuk e mori vesh kush drejtoi më shumë pyetje, ai prokurorëve apo prokurorët atij.

Pjesë nga fjala e Berishës:

Pasi ju deklarova se Sali Berisha është këtu në përputhje me atë parim që ai vlerëson, se çdo njeri që thirret nga organet e drejtësisë, duhet të paraqitet për t’u marrë në pyetje dhe kjo ka qenë qëllimi kryesor i ndryshimit të Kushtetutës në vitin 2012 që qeveria e PD bëri të mundur.

Kam ardhur këtu që t’ua them në sy të gjitha ato që prej 2 vitesh kam denoncuar Edi Ramën dhe ju si grup i strukturuar kriminal. Kam ardhur këtu iu thashë, të shemb piramidën e turpshme të mashtrimit që keni ndërtuar, me shpikje e falsifikime që nuk ka asgjë të vërtetë. Ka vetëm zbatim të porosive politike. Ju si grup i strukturuar kriminal jeni kundër pluralizmit politik në Shqipëri. Iu thashë se jam këtu për të shembur piramidën e tyre, për të denoncuar aktet anti-kushtetuese ku ju vendosët masat kundër Sali Berishës. Jam këtu thashë, për të denoncuar aktet tuaja anti ligjore dhe të turpshme, për t’i marrë pushtetin parlamentit. Jam këtu për të denoncuar aktin tuaj të shëmtuar, refuzimin e provave që s’mund të ndodhë kurrë në një vend, pasi provat e paraqitura nga avokatët e Jamarbër Mlltezit ishin shkatërrimtare për ata. Refuzuan provat që shembin piramidën e tyre të mashtrimit dhe ekspertizën e ekspertëve. Refuzuan dokumentet që faktojnë se kanë vepruar mbi bazën e urdhrit të Edi Ramës.

I pyeta, cili nga ju ka bashkëpunuar me McGonigal si grup i strukturuar me Edi Ramën. Janë këtu kriminelët që kanë bashkëpunuar. Gjeta aty një atmosferë mortore, shihnin të hutuar njëri tjetrin dhe s’dinin të përgjigjeshin. Kur përmenda Taulant Ballën, fytyrat u prishën komplet. U përgjigja të gjitha, po s’kishin pyetje ata, ishin denigrim që ata i bënin vetes, siç kanë bërë me dosjen.

Aty gjeta hijet e McGonigal dhe skandalet e tjera. Opozita po ecën e sigurt drejt një fitore të pashmangshme. Sali Berisha ka deklaruar dhe deklaron se do të paraqitet sa herë të thirret. Nuk kanë asnjë provë, kishte mashtrime, riciklime të mashtrimeve. Mjeranë që ripërsërisnin trillimet e tyre. Ata kanë fshehur me qindra dokumenta. Nuk u mor vesh kush drejtoi pyetje më shumë, ata mua apo unë atyre.