Gjykata e Apelit do të vendosë sot fatin e vulës së Partisë Demokratike, Rithemelimit të drejtuar nga Sali Berisha, apo PD-së zyrtare të drejtuar nga Lulzim Basha.
Vendimi do të jetë formës së prerë nga trupa gjykuese e përbërë nga Alma Ahmeti si relatore dhe anëtarët Iliba Bezati dhe Elona Toro.
Në Gjykatën e Shkallës së Parë, gjyqtari Agron Zhukri njohu Kuvendin e 11 Dhjetorit të Rithemelimit dhe ia kaloi vulën Sali Berishës, por ky vendim u dërgua në Apel nga Enkelejd Alibeaj. Gjykata e Apelit doli me vendim në datën 3 mars 2023, ku kërkoi që çështja të kthehej sërish në Shkallën e Parë, por “Rithemelimi” bëri rekurs dhe u dërgua në Gjykatën e Lartë.
Kjo e fundit vendosi që ta kalojë sërish çështjen në Apel, por me një tjetër trupë gjykuese, për t’i dhënë fund njëherë e mirë çështjes që po mban “peng” Partinë Demokratike prej rreth 3 vitesh.
Në vendimin e publikuar, Gjykata e Lartë thotë se Gjykata e Apelit “nuk i ka dhënë përgjigje kërkesave të palëve në ankimet respektive, ndërkohë që kryesisht ka marrë në shqyrtim çështje për të cilat palët nuk i kanë ngritur si pretendime në ankim, dhe që gjithsesi nuk përbëjnë shkak për prishjen e vendimit dhe dërgimin e çështjes për rishqyrtim”.
“Kolegji konstaton se, Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë nuk i ka dhënë përgjigje kërkesave të palëve në ankimet respektive, ndërkohë që kryesisht ka marrë në shqyrtim çështje për të cilat palët nuk i kanë ngritur si pretendime në ankim, dhe që gjithsesi nuk përbëjnë shkak për prishjen e vendimit dhe dërgimin e çështjes për rishqyrtim.
Kolegji vlerëson se pretendimet e ngritura në ankimet e paraqitura pranë Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë janë çështje të cilat mund të zgjidheshin vetë nga ajo gjykatë”, thuhet në vendimin e Gjykatës së Lartë.
Pas publikimit të këtij vendimi, reaguan edhe dy palët e përfshira në proces, ku PD e Bashës e përshëndeti këtë vendim, ndërsa Rithemelimi e kundërshtoi.