Rusia drejt luftës civile? Kush është kreu i Wagner që thotë se do të rrëzojë Putinin nga pushteti

Ndërkohë që Rusia vazhdon ofensivën e saj në Ukrainë dhe kjo e fundit po I përgjigjet me të njëjtën gjuhë, vendi po përballet me probleme të mëdha në menaxhimin e ushtrisë.

Kjo pasi kreu i grupit mercenary rus Wagner, Yevgeny Prigozhin ka nxitur kryengritjet dhe ka nisur një aksion për të rrëzuar kreun e Kremlinit.

Mbrëmjen e djeshme Prigozhin i bëri thirrje ushtrisë për t’u rebeluar kundër komandës kryesore dhe ministrit të Mbrojtjes, gjatë natës revolta e tij, e cilësuar si një tentativë për grusht shteti nga Moska zyrtare ka avancuar.

Në pamjet që po qarkullojnë në Telegram, shihen burra të armatosur që marrin kontrollin e plotë të shtabit të policisë së Rostovit.

Ata shihen duke u ngjitur në selinë e policisë rajonale të qytetit, që i përkasin ministrisë së brendshme.

Reuters raporton se nuk ishte menjëherë e qartë se cilët ishin personat e armatosur. Agjencia e lajmeve ishte në gjendje të verifikonte vendndodhjen si godina e selisë së policisë, por jo të përcaktonte se kur ishte xhiruar video.

Ndërkohë, autoritetet në rajonet jugore të Rusisë janë vënë në alarm duke ndërmarrë masa për të garantuar sigurinë publike pasi Yevgeny Prigozhin tregoi se planifikonte të dërgonte njerëz në Moskë për të rrëzuar kupolën ushtarake të Putinit.

Presidenti rus, Vladimir Putin, është njoftuar për situatën dhe po merren të gjitha masat e nevojshme, tha zëdhënësi i tij, Dmitry Peskov.

Ngjarja paraqet një përshkallëzim befasues të grindjeve brenda Rusisë.

Agjencia shtetërore e lajmeve, TASS, tha se siguria në ndërtesat qeveritare, objektet e transportit dhe lokacionet e tjera të rëndësishme në Moskë, është rritur.