“Ndjesë dhe pak durim ju lutem”, ky është titulli i mesazhit të Kryeministrit drejtuar qytetarëve pak ditë më parë. I drejtohet kryesisht asaj kategorie që përdorin rrugën Tiranë-Shkodër. Sepse është rruga më problematike në Shqipëri.
Në këtë aks rrugor, një drejtuesi automjeti i duhet të shpenzojë mbi 5 orë kohë për të mbërritur në destinacion edhe pse rruga është vetëm 98 km. Në një situatë pa trafik mund të përshkohej në jo më shumë se dy orë. Kryeministri kërkoi ndjesë në vonesat e përfundimit të disa projekteve që ka nisur qeveria dhe kërkojnë kohë sipas kryeministrit. Por a do të jenë ato të përfunduara në afatet e premtuara?
Përvoja na tregon se duket pak e vështirë të besojmë se vitin që vjen udhëtimi Tiranë-Shkodër dhe kthim do të jetë aq komod sa premton kreu i qeverisë.
Kemi përvojën e shumë rrugëve në Shqipëri siç është ajo e Qafë-Plloçës që ka 15 vjet që ka nisur dhe ende nuk e dimë ditën kur do të jetë funksionale. Le të përqëdrohemi në një vëzhgim të afateve të Rrugës së Arbrit.
Në fushatën e zgjedhjeve vendore të vitit 2019, kryeministri Rama preu shiritin për nisjen e punës për Rrugën e Arbrit ku dhe premtoi brenda 2 viteve. Pra rruga do të ishte përfunduar në vitin 2021.
Por në tetor të vitit 2022 Rama u kthye sërish në Dibër kur vonesat në përfundimin e rrugës të Arbrit lidhen me problemet gjeologjike. ”Ne sot jo vetëm rrugën e Arbrit që do ta kishim përfunduar në rast se nuk do të kishte dalë gjeologjia problematike në tunelin e Murrizit, ku vazhdon puna, por ecet një metër në ditë. Në tunelin e Llogarasë 25 metra në ditë. Na kanë marrë më sysh, shkurt muhabeti, s’kanë lënë magji pa na bërë. Por në fund tuneli do hapet. Ndërkohë që hapet tuneli ne do fillojmë lidhjen e Peshkopisë me Maqellarën, që mos dëgjoj llafe nga dibranët në bulevard. Ne do ta lidhim me Peshkopinë, kështu që nga kafja në qendër të Tironës do shkohet me rrugën e Arbrit”, tha Rama në takim me elektoratin socilaist në Dibër në vitin 2022.
Kanë kaluar 5 vite prej kohës së nënshkrimit të kontratës me kompaninë Gjoka dhe rruga duhej të ishte dorëzuar e plotë maksimumi më 2022, por me sa duket punimet në këtë rrugë do të zgjasin pa afat.
Deri në fund të nëntorit 2022, koncesionari i Rrugës së Arbrit rezulton të ketë marrë 11.5 miliardë lekë pagesa nga buxheti i shtetit, ose rreth 100 milionë euro, sipas të dhënave zyrtare nga Drejtoria e Thesarit në Ministrinë e Financave.
Kjo shumë është gati një e treta e fondeve totale prej 36,4 miliardë lekësh që do të marrë për të gjithë periudhën e koncesionit. Ndërkohë qeveria ka marrë në dorëzim një pjesë të rrugës e cila është në gjendje jo të mirë dhe është kthyer në shkak për aksidente fatale. Së fundmi në janar 2023, në një aksident në Rrugën e Arbrit humbën jetën tre qytetarë dhe u plagosën disa të tjerë.
Edhe Rruga e Arbrit është një projekt që ka nisur zbatimin në kohën e qeverisë “Berisha” kur dhe u ndërtuan disa pjesë të segmentit.
Sipas të dhënave të Ministrisë së Transportit, kur nisi koncensioni ishin ndërtuar plotësisht 20.12 kilometra, pjesërisht në 15.17 km dhe ishin të paprekura nga punimet 26.3 kilometra. Gjatë kohës së qeverisë Berisha u shpenzuan 70 ml euro për ndërtimin e një pjesë të rëndësishme të rrugës, afro gjysma e saj. Pjesa e mbetur e rrugës po ndërtohet me një fond që pritet të arrijë mbi 350 milionë euro.
Duket se historia e Rrugës së Arbrit do t’i ngjasë asaj të rrugës Qukës-Qafë Plloçë ka nisur në vitin 2009 nga qeveria Berisha. U ndërprenë punimet për të rifilluar pak vite më pas në mandatin e parë të qeverisë Rama. Në mandatin e tretë të kësaj qeverie kur kanë kaluar 14 vjet dhe rruga është ende “rrugëve”, ajo s’ka përfunduar dhe nuk dihet se kur do të shfaqen për ta inaguaruar për të disatën herë.
Kryeministri Rama në Rrugën e Arbrit, 2019, 2021, 2022


