Deputeti i Partisë Demokratike Ervin Salianji ka komentuar skandalin me rrjedhjen e të dhënave nga sistemi TIMS, ku theksoi se duhet të nxirren përgjegjësit që mundësuan këtë.
Duke folur nga salla e konferencave të Kuvendit, Saliaji tha se patronazhistët përdornin të dhënat personale të qytetarëve si adresën, punën, bindjet politike etj.
Ai u shpreh se Partia Socialiste ka pasur në posedim një databazë të dhënash për 910 mijë qytetarë në Tiranë dhe e vetmja mënyrë nga ku mund të siguroheshin këto të dhëna ishte baza shtetërore.
“Kujtojmë këtu rrjedhjen e të dhënave të patronazhistëve, ku të dhënat personale të qytetarëve ishin në dorën e funksionarëve të PS dhe keqpërdoreshin në zgjedhjet e kaluara. Kujtojmë rrjedhjet e pagave të qytetarëve, targave të makinave të qytetarëve dhe rrjedhja apo tentativa për manipulimin e sistemit TIMS. Këto të dhëna janë prova të rëndësishme për SPAK në hetimet e kaluara. Të gjithë e dimë që në vitin 2021 është publikuar lajmi se PS ka një databazë të dhënash për 910 mijë qytetarë në Tiranë, ku përfshiheshin të dhëna për adresën ,punën dhe bindjen politike ndër të tjera. Kjo databazë menaxhohej nga patronazhistët që ishin të punësuar në administratë publike
E vetmja mënyrë nga ku mund të siguroheshin këto të dhëna ishte baza shtetërore. OSBE ODIHR ka raportuar rrjedhjen e të dhënave sensitive si një problematikë serioze”, deklaroi Salianji.
Ditën e sotme prokuroria ktheu dosjen në AMP pasi sipas saj hetimi i dorëzuar nuk ishte i plotë.