Dritan Rexhepi dhe Aldo Majnishta kanë refuzuar që të dëshmojnë në gjyqin për vrasjen e Jan Prengës. Në seancën e sotme në GJKKO, u mbajt seanca për Altin Hajrin, i cili po gjykohet në mungesë për rëmbimin dhe vrasjen e Prengës, ngjarje kjo e ndodhur 5 vite më parë.
Seanca u shty për në 12 maj, kohë gjatë së cilës do të përsëriten thirrjet për familjarët e Jan Prengës, që ndodhen jashtë shtetit. Dritan Rexhepi bashkë me Gentajn Funiqin porositën nga Ekuadori rrëmbimin e Jan Prengës.
Ngjarja ndodhi si hakmarrje ndaj vëllait të tij për prishjen e pazareve të drogës në Britani. Ai u dërgua në resortin e Altin Hajrit në Shijak, ku u torturua dhe zhvesh. Dyshohet se gjatë dhunës, Prenga u mbeti në dorë pengmarrësve, që vendosën të zhdukin trupin.
Dritan Rexhepi i njohur si “mbret” i kokainës u arrestua në nëntor të 2023, pasi mbërriti në Turqi nga aeroporti i Stambollit me pasaportë kolumbiane me emrin e Benjamin Omar Perez Garcia. Ai u mbajt në vëzhgim që nga zbritja në aeroport derisa arriti në një vilë luksoze, e cila u rrethua nga forcat speciale që organizuan megaoperacioni për arrestimin më 8 nëntor.