Rithemelimi fton deputetët e Bashës për t’u bashkuar, Boçi: Kushti i vetëm për ish kryetarin e partisë

Nënkryetari i Partisë Demokratike, Luçiano Boçi, foli këtë të martë për bashkim të opozitës. Në një konferencë me gazetarët, Boçi tha se me iniciativë të ish kryeministrit Sali Berisha po punohet për një proces bashkimi, duke ftuar të gjithë deputetët e Bashës t’i bashkohen Rithemelimit.

Ai deklaroi se PD do të bashkohet me partitë që janë të gatshme të jenë pjesë e aksionit opozitar, ndërsa tha se edhe Basha mund të bashkohet me grupin e tyre, nëse vendos të mos jetë më patericë e qeverisë.

“Po punohet për një proces bashkimi. Ky bashkim është real, për ta shtrirë edhe në partitë e tjera opozitare. Ftesa për ata demokratë që mendojnë ndryshe është një thirrje e hapur për të gjithë deputetët.

Ata deputetë që sot janë te pjesa e Bashës, janë të ftuar të bëhen pjesë e PD-së dhe e kësaj iniciative bashkuese. Opozita të dalë e përbashkët në betejë. Basha është deputet dhe në momentin që do fillojë të bëjë opozitë dhe do e dëshmojë me aksion opozitar, gjithmonë është i ftuar. Në momentin që vazhdon të jetë patericë e qeverisë duke i shërbyer asaj me propozimet ligjore, nuk mendoj se ka dëshirë të bëhet pjesë e frontit opozitar”, tha Boçi.