Rikthimi në detyrë i Ballukut, Gjykata Kushtetuese del me reagim pas deklaratave të PD

Gjykata Kushtetuese ka reaguar lidhur me çështjen ndaj zv.kryeministres Belinda Balluku dhe deklaratat politike të bëra së fundmi.

Reagimi i Gjykatës Kushtetuese vjen pas deklaratave të bëra nga kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, i cili në një intervistë televizive 1 javë më parë u shpreh se në votimin e parë për shfuqizimin e pezullimit nga detyra të Ballukut, votimi i gjyqtarëve ishte 4 pro dhe 4 kundër kërkesës së qeverisë, por ka qenë një nga anëtaret e trupës së gjyqtarëve që ka kërkuar të rivotojë, duke e çuar votimin 5 me 3 për rikthimin e numrit 2 të qeverisë.

Sipas Gjykatës, çdo pretendim se është ndjekur një procedurë apo se ka pasur rezultat votimi për pezullimin e vendimeve të GJKKO-së është tërësisht i pavërtetë.

Kushtetuesja shprehet se çështje do të merret në shqyrtim në seancë publike më 22 janar teksa kërkues është kryeministri i vendit dhe subjekte të interesuara, Presidenti i Republikës, Kuvendi, SPAK dhe GJKKO.

Deklarata e GJK:

Në vijim të deklaratave mediatike publike, të bëra nga subjekte të ndryshme që ushtrojnë funksione publike ose private, në lidhje me procedurën e ndjekur dhe rezultatin e votimit për vendimmarrjen e Gjykatës Kushtetuese për pezullimin e zbatimit të vendimeve gjyqësore nr.118, datë 19.11.2025, dhe nr.120, datë 22.11.2025, të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, për pjesën që kanë disponuar caktimin dhe vazhdimin e masës ndaluese “pezullimi i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik” ndaj shtetases Belinda Balluku, Gjykata Kushtetuese i përgënjeshtron këto deklarata si tërësisht të pavërteta.

Gjykata Kushtetuese risjell në vëmendje se bëhet fjalë për një procedurë gjyqësore kushtetuese në vijim e sipër dhe se, në datën 22.01.2026, do të marrë në shqyrtim në seancë plenare publike çështjen me kërkues Kryeministrin e Republikës së Shqipërisë dhe subjekte të interesuara Presidentin e Republikës, Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar dhe Gjykatën e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar. Për të garantuar procesin e rregullt, sipas standardeve kushtetuese, dhe për të shmangur çdo mundësi paragjykimi, qoftë edhe në dukje, ftohen të gjithë aktorët dhe personat e përfshirë në këtë diskutim publik që të tregohen të matur dhe të kujdesshëm në deklaratat e tyre, duke mos përgojuar gjyqtarë individualë apo institucionin e Gjykatës Kushtetuese në tërësi.

Gjykata Kushtetuese rithekson përkushtimin e saj për ushtrimin e funksionit kushtetues me transparencë dhe respekt të plotë të procedurave kushtetuese e ligjore, duke i bërë përsëri thirrje të gjithë aktorëve për respektimin e integritetit dhe autoritetit të saj, me qëllim sigurimin e besimit të publikut dhe garantimin e pavarësisë së vendimmarrjeve gjyqësore, të cilat në asnjë rrethanë nuk duhet të ndikohen nga çdo keqinformim për publikun, nga cilido subjekt të vijë ai.