Rezultatet e PISA-s, Programi për Vlerësimin Ndërkombëtar të Studentëve, ishin një këmbanë alarmi për arsimin në vend. Shqipëria kishte rënien më të madhe në botë që prej vitit 2018, për vlerësimin e nxënësve në matematikë, lexim dhe shkencë.
Vendi ynë zinte vendin e 67 për rezultatet në matematikë, duke u renditur pas Xhamaikës dhe mbi Palestinën, vendin e 72 për leximin, pas Maqedonisë së Veriut dhe në vendin e 79 sa i përket shkencës, pas Maqedonisë dhe para Jordanisë.
Por a lidhet kjo edhe me faktin se një pjesë e konsiderueshme e mësuesve në vend nuk përdorin teknologjnë në procesin mësimor?
Një anketë e realizuar në 43 shkolla të arsimit fillor dhe bazë, që bëjnë pjesë në Programin “EU4Schools”, financuar nga Bashkimi Europian dhe zbatuar nga PNUD në bashkëpunim me Qeverinë e Shqipërisë tregoi se ka mangësi të fortë në procesin e mësimdhënies për lëndët që kanë të bëjnë me teknologjinë.
Në këtë studim morën pjesë 785 mësues dhe nga këto vetëm 20% nuk kanë përdorur asnjë teknologjinë digjitale, ndërsa 44% e tyre pohuan të jenë anëtarë të rrjeteve sociale dhe ky fakt mund të përdoret për të promovuar mësimdhënien digjitale dhe të mësuarit.
Por ajo çfarë u evidentua në këtë anketë të bërë, ishte se 65% e tyre pranuan se nuk përdorin teknologjinë edhe pse kurrikula mësimore lejon integrimin e teknologjisë në procesin mësimor.
Një shifër kjo shumë e lartë, që tregon se këta mësues nuk përdorin kompjuterin duke mos e bërë pjesë të procesit mësimor apo hasin nëvështirësi në përdorimin e tij.
Po ashtu mësuesit kane dhënë përgjigje kontradiktore në anketë dhe ky është tregues se ata duhet të kuptojnë më mirë konceptet dhe përdorimin e teknologjitë për qëllime mësimore.
Sot, ndikimi i teknologjisë informatike dhe të komunikimit (TIK) gjithnjë e më shumë bëhet gjitheperfshires në shumë sfera shoqërore. Për këtë lind nevoja që edhe mësuesit e rinj duhet të trajnohen nëse s’kanë përvoja në programe digjitale.
Rezultatet e anketës tregojnë se ka një nevojë të domosdoshme dhe evidente nevojën për trajnime që kanë lidhje me kompetencat digjitale të mësuesve dhe t’i zhvillojë ato më tej në ato shkolla.
Arsimi duhet t’u përshtatet ndryshimeve të vazhdueshme të teknologjisë, dhe t’i përdorë ato gjerësisht në procesin mësimor.
Këtyre ndryshimeve arsimi duhet t’u përgjigjet, me ritme të shpejta, me zhvillime të brendshme sasiore e cilësore për të transmetuar njohuri e aftësi sistematike, koherente e të qëndrueshme te nxënësit, duke i reflektuar më pas këto në shoqëri për krijimin e një të ardhmeje më pozitive për të gjithë.
Në epokën e zhvillimit të teknologjisë së informimit dhe komunikimit, përdorimi i kësaj teknologjie gjatë procesit mësimor është bërë një domosdoshmëri për mësuesit. Ky zhvillim lidhet drejtpërsëdrejti me përditësimin e njohurive dhe të aftësive të reja në fushën e edukimit nga mësuesi.
Teknologjia ndihmon në konkretizimin e koncepteve më të vështira, programe të ndryshme kompjuterike janë të nevojshme për nxitjen e të mësuarit në mënyrë plotësuese dhe për rezultate të larta, i bën ata edhe më kreativ.