Revoltohet Presidentja e përkohshme e Venezuelës: Mjaft me urdhrat e SHBA-së

Presidentja e përkohshme e Venezuelës, Delcy Rodriguez, deklaroi se ka nuk do të zbatojë më urdhrat e Uashingtonit, ndërsa po përpiqet të bashkojë vendin pas kapjes nga SHBA-ja të ish-udhëheqësit Nicolás Maduro.

Rodriguez, e cila u mbështet nga Shtetet e Bashkuara për të udhëhequr vendin në mënyrë të përkohshme, ka ndjekur një ekuilibër të vështirë: ruajtjen e mbështetjes së besnikëve të Maduros brenda vendit dhe, njëkohësisht, përmbushjen e pritshmërive të Shtëpisë së Bardhë.

Tashmë, gati një muaj pas marrjes së detyrës, ajo ka reaguar ndaj presionit amerikan, i cili përfshin edhe kërkesa për rifillimin e prodhimit të naftës.

“Mjaft më me urdhrat e Uashingtonit ndaj politikanëve në Venezuelë,” tha Rodríguez gjatë një takimi me punonjës të industrisë së naftës në qytetin Puerto La Cruz.

“Ata le të na lënë neve, venezuelianëve, t’i zgjidhim dallimet dhe konfliktet tona të brendshme. Kjo Republikë ka paguar një çmim shumë të lartë nga pasojat e fashizmit dhe ekstremizmit në vend,” shtoi ajo.

Shtëpia e Bardhë ka mbajtur presion të vazhdueshëm ndaj Venezuelës që nga arrestimi i Maduros dhe bashkëshortes së tij, Cilia Flores, në fillim të janarit, të cilët u dërguan në SHBA ku ish-presidenti përballet me akuza penale.

Rodríguez, ish-zëvendëspresidente e Maduros, ka theksuar vazhdimisht se SHBA-ja nuk qeveris Venezuelën, megjithatë ka shmangur një përplasje të drejtpërdrejtë me Uashingtonin.

Presidenti amerikan Donald Trump kishte deklaruar fillimisht se SHBA-ja do ta drejtonte Venezuelën pas kapjes së Maduros, por më vonë e mbështeti Rodríguez si udhëheqëse të përkohshme të vendit.

Për më shumë se 25 vjet, Venezuela socialiste, e pasur me naftë, ka qenë në përplasje të vazhdueshme me SHBA-në. Megjithatë, pas rrëzimit të Maduros, Uashingtoni synon të sigurojë një autoritet të qëndrueshëm në Karakas.

Brenda vendit, situata mbetet e tensionuar, me ndarje mes besnikëve të Maduros, opozitës së majtë dhe të ashtuquajturve “Çavistë jo-Maduristë”, mbështetës të ish-presidentit Hugo Chávez që e akuzojnë Maduron për tradhti të idealeve socialiste.

Pas sulmeve amerikane në Karakas në fillim të janarit, administrata Trump paraqiti disa kërkesa ndaj Venezuelës, përfshirë shkëputjen e marrëdhënieve me Kinën, Iranin, Rusinë dhe Kubën, si dhe bashkëpunimin ekskluziv me SHBA-në në sektorin e naftës, sipas zyrtarëve të lartë amerikanë.

Rodríguez pritej gjithashtu të favorizonte administratën Trump dhe kompanitë amerikane të naftës për shitjet e ardhshme.

Nafta mbetet shtylla kryesore e ekonomisë venezueliane. Vendi zotëron rezervat më të mëdha në botë të naftës ekstra të rëndë, e cila kërkon përpunim më të kushtueshëm, por është e përshtatshme për rafineritë amerikane.