Ligji për portet turistike, reagon delegacioni i BE: Ndryshimet duhet të vlerësohen nga shërbimet tona

Delegacioni i Bashkimit Europian ka reaguar për mediat në lidhje me ndryshimet e miratuara nga Kuvendi në ligjin “Për portet turistike në Republikën e Shqipërisë”.

Delegacioni thotë për News24 se është ne dijeni të këtyre ndryshimeve, të cilat do të vlerësohen nga afër “veçanërisht në fushën e prokurimit publik dhe përputhshmërinë e tyre me legjislacionin e BE-së, i cili kërkon procedura transparente dhe konkurruese për dhënien e koncesioneve, përfshirë edhe për portet”.

Gjithashtu, në reagim theksohet se teksti i ri përfshin elementë të ngjashëm me ato të ligjit për Investitorët Strategjikë, një ligj që Shqipëria pritet ta shfuqizojë në kuadër të angazhimeve të saj në procesin e integrimit.

Reagimi i plotë i Delegacionit të BE në Tiranë për News24:

Ne jemi në dijeni se Parlamenti miratoi ndryshime në Ligjin “Për portet turistike në Republikën e Shqipërisë”. Ndryshimet do të duhet të vlerësohen nga afër nga shërbimet tona, veçanërisht në fushën e prokurimit publik dhe përputhshmërinë e tyre me legjislacionin e BE-së, i cili kërkon procedura transparente dhe konkurruese për dhënien e koncesioneve, përfshirë edhe për portet.

Gjithashtu kuptojmë se teksti i ri përfshin dispozita të pranishme në Ligjin për Investitorët Strategjikë. Ky është një ligj që Shqipëria pritet ta shfuqizojë si pjesë e hapave të Agjendës së Reformave dhe në kuadër të kushteve përmbyllëse për Kapitullin 27. Shqipëria duhet të përmbahet nga çdo hap që bie ndesh me këto angazhime.