Reuters: Si po e mbron Edi Rama shpenzimin prej 4 milionë eurosh për koncertin e Kanye West

Kryeministri i Shqipërisë mbrojti të mërkurën vendimin për të shpenzuar 4 milionë euro (4.56 milionë dollarë) për koncertin e reperit amerikan Kanye West, duke u përpjekur të zbusë zemërimin e opinionit publik lidhur me këtë ngjarje, e cila ka shtuar edhe më shumë tensionet në protestat qytetare dhe kërkesat për dorëheqjen e tij.

Kanye West, i njohur edhe me emrin Ye, është ndaluar të performojë në disa vende evropiane gjatë kësaj vere, pas deklaratave të tij që kanë përfshirë lavdërime për Adolf Hitlerin dhe përmbajtje me simbole naziste.

Koncerti, i planifikuar të mbahet më 11 korrik në periferi të Tiranës, do të zhvillohet në një stadium të përkohshëm, të ndërtuar posaçërisht për këtë aktivitet.

“Ne akorduam 4 milionë euro në momentin e fundit për të shmangur turpërimin e Shqipërisë përballë afro 25 mijë vizitorëve të huaj nga 80 vende të botës, të cilët kishin blerë tashmë biletat për të ndjekur koncertin e Kanye West, ndërsa shumë të tjerë druheshin se ai mund të anulohej”, shkroi kryeministri Edi Rama në Facebook.

Sipas Ramës, koncerti pritet t’i sjellë vendit të paktën 100 milionë euro të ardhura, falë rritjes së ndjeshme të rezervimeve në strukturat akomoduese gjatë periudhës së zhvillimit të tij.

Deklarata e kryeministrit shkaktoi një valë reagimesh negative në faqen e tij në Facebook.

“Shqipëria turpërohet kur mirëpret një këngëtar që admiron Hitlerin”, shkroi një komentues. “Turp! Jo me paratë e mia!”, ishte reagimi i një tjetri.

Në Tiranë zhvillohen protesta të përditshme prej më shumë se një muaji. Ato nisën pas planeve për ndërtimin e një resorti luksoz nga Jared Kushner, dhëndri i presidentit amerikan Donald Trump.

Më pas, protestuesit kundërshtuan edhe projekte të tjera zhvillimi në bregdet, pranë zonave të mbrojtura, ndërsa kanë kërkuar gjithashtu dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, duke akuzuar qeverinë e tij për korrupsion. Rama i ka mohuar këto akuza.