“Me ata shumë mirë, pa ata shumë mirë. Rëndësi ka të bëhet puna”- ky ishte paralajmërimi i kryeministrit Edi Rama ndaj opozitës në lidhje me bllokimin e punës së komisioneve, ndërsa socialistët kanë nisur pa humbur kohë zbatimin e ultimatumit të kreut të qeverisë.
Mësohet se Komisioni i Posaçëm për Reformën Territoriale u mblodh sot duke vendosur që të çoj në Kuvend projektvendimin për mënyrën e funksionimit të komisionit.
Sipas propozimit, parashikohet që të hiqet pariteti i numrave të përfaqësimit politik dhe e drejta e vetos.
Sipas mazhorances, me këtë vendimmarrje zhbllokohet veprimtaria e komisionit, e cila kishte mbetur pezull për shkak të bojkotit të opozites.
Heqja e paritetit dhe e së drejtës së vetos nënkupton se opozita humbet mekanizmat e kontrollit dhe barazisë në vendimmarrje. Kjo e kthen komisionin nga një strukturë bipartizane në një organ ku mazhoranca ka dominim të plotë.
Siç duket, PS kërkon të vazhdojë e vetme punën e këtij komisionit të rëndësishëm, ndërsa nuk dihet lëvizja e opozitës.
Gjatë mbledhjes së grupit të PS pak ditë më parë, Rama tha se puna për reformën zgjedhore dhe atë administrativo-territoriale duhet të vazhdojë pa vonesa dhe pa u penguar nga askush.