“Ne marrim vendime dhe nuk ju pyesim fare”! Kështu u shpreh ministrja e Arsimit, Evis Kushi, para studentëve që kundërshtonin ligjin absurd që do t’i mbante ata të “burgosur” 5 vite në Shqipëri në rast se nuk paguajnë gjobën e vendosur nga qeveria.
E tha dhe e bëri! Ligji i kopjuar nga Nigeria u miratua në Parlament vetëm me votat e mazhorancës dhe u dekretua në heshtje nga Presidenti inekzistent që ka vendi ynë, i cili nuk denjoi ta firmoste, siç bëri me tenderin kundër minjve që i kanë pushtuar institucionin që drejton.
Por pasojat e këtij ligji po fillojnë të dalin në pah. Në vitin 2023, numri i aplikantëve për degën e Mjekësisë ishte vetëm 1000, nga 3600 që aplikuan një vit më parë. Një rënie me 3.6 herë që u shkaktua nga frika e studentëve se do të detyrohen të paguajnë gjobë në përfundim të studimeve, ose në të kundërt do të detyrohen të punojnë me rrogat qesharake të sistemit shëndetësor, që fondet i ka të shumta, por që vidhen nga babëzia e ministrave apo drejtorëve.
Ulja e numrit të aplikimeve sjell automatikisht edhe uljen e nivelit dhe konkurrencës, pasi këtë vit pothuajse 1 në 2 maturantë u shpall fitues për degën e Mjekësisë.
Ky ligj rezultoi i nxituar dhe i pazbatueshëm për vendin tonë, por ka shumë dyshime se ka qenë i porositur. Përse i porositur?
Ligji është vetëm për studentët e mjekësisë që vazhdojnë universitetin publik, ndërsa për ata që studiojnë në universitetet private, diplomën e kanë të garantuar sapo mbarojnë studimet. Një padrejtësi e madhe për të gjithë ata studentë që nuk kanë mundësi financiare të shkojnë te privati.
Por padrejtësia ndaj studentëve sjell përfitim për pronarët e universiteteve private, pasi numri i aplikimeve në këto universitete është rritur ndjeshëm, teksa shumë prindër janë të detyruar të futen edhe në borxhe për të shkolluar fëmijët dhe për mos t’i lënë në mëshirë të fatit në përfundim të studimeve.
Pra, si përfundim, ky ligj absurd i hartuar dhe miratuar pa marrë asnjë mendim nga grupet e interesit nuk është asgjë tjetër veçse një tjetër goditje ndaj studentëve e prindervë të tyre, si dhe qoka e radhës për oligarkët e arsimit, që kanë filluar të shtohen si ata të shëndetësisë dhe të ndërtimeve.
Do të vijë dita pas disa viteve që edhe këtij ligji të miratuar me shpejtësi do t’i dalë ndonjë skandal, por deri atëherë, do të ketë shkatërruar shumë ëndrra studentësh që dëshirohen të bëhen mjekë, por tremben nga haraçi që duhet të paguajnë!
Si gjithmonë, përgjegjësia do të jetë individuale, ndërsa pasojat kolektive!