Në një intervistë për “Politico.eu”, kryeministri Edi Rama u shpreh i gatshëm që të lejojë ushtrinë amerikane të përdorë territorin shqiptar për të goditur Iranin, në një kohë kur shumë vende të NATO-s kanë refuzuar diçka të tillë.
“Nuk është për ne të vendosim si duhet trajtuar Irani në skenën globale, por është për ne të mbështesim çdo përpjekje për të dobësuar dhe ndoshta rrëzuar atë regjim,” tha Rama, duke shtuar se do të lejonte operacione ushtarake amerikane nga territori shqiptar, me kusht që SHBA të ofrojë mbrojtje ajrore për vendin,” – raporton Politico.
Por kjo deklaratë e kryeministrit duket të jetë është shumë e rrezikshme, pasi e pozicionon Shqipërinë si një territor potencial për përshkallëzim konfliktesh, pasi çdo vend që ofron territorin e tij për operacione ushtarake kundër një shteti tjetër, automatikisht hyn në hartën e objektivave të mundshme.
Në këtë rast, Shqipëria rrezikon të shihet si vend aktiv në luftë, dhe mund të ishte fare lehtë një objektiv i raketave të Iranit. Madje, edhe nëse SHBA do të ofronte mbrojtje ajrore, historia ka treguar se asnjë sistem mbrojtës nuk është 100% i sigurt, pasi raketat arrijnë të depërtojnë pa u kapur nga radarët dhe të marrin jetë të pafajshme.
Por pse Rama i bën këto deklarata të rrezikshme?
Në radhë të parë, një kryeministër nuk mund të flasë për përfshirjen në operacione ushtarake publikisht, sidomos kur drejton një vend si Shqipëria që nuk e ka fare luksin të luajë rolin e të fortit, kur s’kemi mundësi as të shuajmë zjarret në verë, e jo më të përfshihemi në një konflikt global.
Ndërkohë, si mund të flasë Rama për këtë çështje pa u konsultuar me Parlamentin? A ka ndonjë analizë të rrezikut që i kanoset Shqipërisë?
Sigurisht që jo! Këto deklarata të nxituara janë vetëm për të fituar vëmendjen e aleatëve dhe sidomos Presidentit Trump, marrëdhëniet me të cilin dihet që nuk janë shumë të mira, prej vitit 2016 kur Rama e cilësonte Presidentin amerikan si “kërcënim për SHBA-në”.
Për interesat e tij personale, Rama rrezikon ta kthejë Shqipërinë në një fushëbetejë, ku rreziku i sulmeve është i madh, jo vetëm me raketa, por edhe me sulme kibernetike, në një kohë kur kapacitetet tona janë të papërfillshme me ato iraniane.
Ndaj, do të ishte mirë që Rama të tërhiqej nga këto deklarata të rrezikshme, pasi po i futet një loje të rrezikshme në një skenë shumë më të madhe se sa ai dhe Shqipëria mund ta përballojnë.