Departamenti Amerikan i Shtetit ka fshikëlluar qeverinë shqiptare në raportin e fundit për klimën e investimeve në vitin 2023. Mëse 54 herë përmendet fjala korrupsion duke e cilësuar Shqipërinë si një vend që vuan nga korrupsioni sistemik dhe i përhapur në çdo sektor të shoqërisë.
Raporti është i ashpër pasi për herë të parë thekson disa fenomene siç është largimi i të rinjve nga Shqipëria apo shantazhin ndaj bizneseve nga administrata, media apo grupet kriminale.
“Akuzat për korrupsion janë të zakonshme dhe investitorët shpesh raportojnë se ata bëhen objektiv i zhvatjes si nga administrata publike, ashtu edhe nga media dhe grupet kriminale,” thuhet në report.
DASH merret edhe me raste të veçanta të investitorë amerikanë që janë penguar në Shqipëri për shkak të korrupsionit.
“Në 2019 dhe 2020, tentativa për investim të një kompanie amerikane dyshohet se u pengua nga disa vendime gjyqësore dhe veprime të dyshimta të palëve të interesuara të përfshira në një mosmarrëveshje mbi investimin. Çështja përfundoi në arbitrazh ndërkombëtar”, thotë raporti.
Por, DASH flet më tej se praktika e PPP ka dëmtuar ekonominë shqiptare dhe konkurencën si dhe paraja e pisët dhe kontrabanda janë mjaft shqetësuese.
Më poshtë, theksimet e raportit të DASH për Shqipërinë.
- Investitorët e huaj e perceptojnë Shqipërinë si një vend të vështirë për të bërë biznes. Ata përmendin korrupsionin e vazhdueshëm, duke përfshirë në sektorin publik, gjyqësor, prokurimet publike, konkurrencën e pandershme, ekonominë e madhe informale, pastrimin e parave, ndryshimet e shpeshta në legjislacionin fiskal dhe zbatimin e dobët të kontratave, si sfida të vazhdueshme për investimet dhe biznesin në Shqipëri.
- Emigrimi i fuqisë punëtore të re dhe të kualifikuar ka krijuar mungesa të fuqisë punëtore që ndikon në perspektivat e investimeve në shumë sektorë. Shqipëria vazhdon të shënojë dobët në Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit të Transparency International. Në vitin 2022, Shqipëria renditej e 101 nga 180 vende, një përmirësim i lehtë nga viti 2021, por ende larg renditjes së saj më të mirë të vitit 2016, kur u rendit e 83-ta nga 176 ekonomi. Shqipëria gjithashtu vazhdon të renditet e ulët në Indeksin Global të Inovacionit (GII), duke u renditur në 84 nga 132 vende në 2022 GII.
- Shqipëria ka një sektor të madh informal dhe aktivitete të pastrimit të parave. Task Forca e Veprimit Financiar për Pastrimin e Parave (FATF) e përfshiu Shqipërinë në listën e saj gri në vitin 2020 dhe vendi vazhdon të jetë në listë për vitin 2023 për shkak të mangësive strategjike në adresimin e shqetësimeve të pastrimit të parave. Komuniteti i biznesit raporton se fluksi i madh i të ardhurave të paligjshme nga trafiku i drogës, kontrabanda, evazioni fiskal dhe korrupsioni shtrembëron konkurrencën në treg. Akuzat për korrupsion janë të zakonshme dhe investitorët shpesh raportojnë se ata bëhen objektiv i zhvatjes si nga administrata publike, ashtu edhe nga media dhe grupet kriminale.
- Raportimet për korrupsion në prokurimet qeveritare janë të zakonshme. Investitorët raportojnë shpesh raste të korrupsionit qeveritar që vonon dhe parandalon investimet në Shqipëri.
- Përdorimi i vazhdueshëm i kontratave të partneritetit publik privat (PPP) ka reduktuar mundësitë për konkurrencë, përfshirë nga investitorët e huaj, në infrastrukturë dhe sektorë të tjerë.
- Analizat e dobëta kosto-përfitim dhe mungesa e ekspertizës teknike në hartimin dhe monitorimin e kontratave PPP janë shqetësime të vazhdueshme. Investitorët amerikanë sfidohen nga korrupsioni dhe përjetësimi i praktikave joformale të biznesit. Disa investitorë amerikanë janë përballur me mosmarrëveshje të diskutueshme tregtare me entitete publike dhe private, duke përfshirë disa që shkuan në arbitrazh ndërkombëtar.
- Në 2019 dhe 2020, tentativa për investim të një kompanie amerikane dyshohet se u pengua nga disa vendime gjyqësore dhe veprime të dyshimta të palëve të interesuara të përfshira në një mosmarrëveshje mbi investimin. Çështja përfundoi në arbitrazh ndërkombëtar.
- Të drejtat e pronësisë vazhdojnë të jenë një sfidë në Shqipëri, sepse një titull pronësie i qartë është i vështirë për t’u marrë. Ka pasur raste të individëve që dyshohet se kanë manipuluar sistemin gjyqësor për të marrë tituj të paligjshëm të tokës.
- Mbivendosja e titujve të pronësisë është një çështje serioze dhe e zakonshme.
- Procesi i kompensimit për tokat e konfiskuara nga ish-regjimi komunist vazhdon të jetë i rëndë, joefikas dhe i pamjaftueshëm. Parlamenti miratoi një ligj për regjistrimin e kërkesave pronësore më 16 prill 2020, i cili mund të ofrojë një lehtësim për mbajtësit e titujve.