Raporti “nxiu” Shqipërinë, Rama shumë i shqetësuar për lirinë e medias në të gjithë botën

Raporti i fundit i “Reporterëve pa Kufij” tregonte se liria e medias në Shqipëri ishte në ditët e saj më të zymta, pasi vendi ynë kishte humbur 3 vende në renditje, teksa ishte e fundit në rajon.

Pas publikimit të këtij raporti ka reaguar edhe kryeministri Edi Rama, i cili thotë se do ta analizojë me kujdes raportin dhe do të ndërmarrë veprime të mëtejshme për të përmirësuar mjedisin mediatik dhe për të mbrojtur lirinë e informacionit.

Por, kryeministri thotë se është shumë i shqetësuar se liria e medias është nën kërcënim në të gjithë botën, teksa nuk e përmend fare renditjen skandaloze të Shqipërisë në këtë raport.

“Çështja e lirisë së informacionit është një nga më të rëndësishmet sot ndaj dua të falënderoj Reporterët pa Kufij për raportin e tyre depërtues. Ne do ta analizojmë me kujdes, do të konsultohemi me të gjitha palët e interesuara dhe do të ndërmarrim veprime të mëtejshme për të përmirësuar mjedisin mediatik, për të mbrojtur lirinë e informacionit, për të luftuar dezinformimin dhe për të forcuar të drejtat e gazetarëve. Jemi shumë të shqetësuar nga gjetja kryesore e raportit: se liria e medias është nën kërcënim në të gjithë botën. Qeveria shqiptare është e gatshme të ndërmarrë të gjitha përgjegjësitë e nevojshme për të ndihmuar në thyerjen e këtij trendi”, shkruan Rama.

Kujtojmë se kryeministri është një nga personat që është përplasur më shumë me gazetarët, shpeshherë duke iu drejtuar me fjalë fyese, duke mos i lejuar ta pyesin apo madje edhe duke i shtyrë, siç ishte rasti i fundit me gazetaren Ambrozia Meta.