Raporti i SPAK: Grupet kriminale ndihmohen nga policët për të goditur njëri tjetrin, biznesmenë të fuqishëm luajnë rolin e sekserit

Ditën e sotme, Prokuroria e Posaçme publikoi raportin për punën e bërë gjatë vitit 2023, ku mes të tjerash ka nxjerrë disa të dhëna të rëndësishme sa i takon krimit të organizuar në vend.

Vetë kreu i SPAK, Altin Dumani tha sot se për disa çështje të krimit të organizuar, nuk bashkëpunojnë me policinë e shtetit për shkak të përfshirjes së tyre, pra një pjese me bandat kriminale. Vetë Dumani nënvizoi përfshirjen edhe të atyre që mbajnë funksione të lartë në policinë e shtetit.

Në raportin e SPAK, evidentohet se në shumë prej qyteteve të vendit janë aktive grupet kriminale. Më konkretisht: në Tiranë, Durrës, Vlorë, Gjirokastër, Fier, Shkodër, Elbasan, Kurbin dhe Fushë-Krujë.

Por jo vetëm kaq. Raporti jep detajet se si punonjës të policisë ndihmojnë bandat dhe por edhe bashkëpunimin e biznesmenëve të rëndësishëm me krimin e organizuar, të cilët ju kanë ofruar këtyre grupeve, lidhjet e tyre në policinë e shtetit, organet e drejtësisë dhe administratës publike

Përsa i takon trafikut të drogës, ai vijon të jetë një problem në Durrës, Vlorë, Gjirokastër, Fier dhe Kurbin. Ndërsa në Tiranë dhe qytete të tjera bregdetare grupet kriminale, që përbëhen nga 15-20 anëtarë janë më shumë të orientuara drejt pastrimit të parave.

Vihet re që në qytete si, Durrësi, Shkodra, Laçi dhe Fushë-Kruja, është evidentuar korrupsioni i funksionarëve të drejtësisë.

Grupet kriminale shqiptare janë kryesisht poli-kriminale, ku përfshihen kryesisht trafiku i narkotikëve, vrasjet, rrëmbimet, mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve shpërthyese dhe i municionit etj.

Raporti i SPAK nxjerrë një realitet të trishtë për vendin tonë, që është tronditur nga shumë krime mafioze jo vetëm në muajt e parë të vitit të vitit 2024 por edhe më herët. Shumë prej tyre janë ende të pazbardhura.

Sa i takon vrasjeve apo atyre të mbetura në tentative, qytetet ku dominojnë më shumë janë Durrësi, Fushë Kruja, Fier, Vlorë, Shkodër dhe Elbasan.

Ndërkohë raporti po ashtu nënvizon edhe përfshirjen e punonjësve të policisë por edhe të biznesmenëve të fuqishëm të cilët bashkëpunojnë me bandat kriminale.

Sipas Prokurorisë së Posaçmë në disa raste janë edhe lidhjet e krijuara me përfaqësues të policisë së shtetit qoftë në nivel lokal, por dhe qendror, të cilët kanë ndihmuar grupet kriminale kryesisht në dhënien e informacioneve apo ndjekjen e lëvizjeve të kundërshtarëve të tyre. 

Sa u takon biznesmenëve të fuqishëm, kryesisht në nivel lokal, ata luajnë rolin e ndërmjetësit kyç, ku përveç marrëdhënieve tregtare, ju kanë ofruar këtyre grupeve lidhjet e tyre në policinë e shtetit, organet e drejtësisë dhe administratës publike, kryesisht në dhënien e informacioneve ose kontakteve me të tretët.

Grupet kriminale që veprojnë në Shqipëri kanë dhe shtrirje edhe në tregjet ndërkombëtare kriminale kryesisht në Amerikën e Jugut, Bashkimin Evropian (BE) dhe Britaninë e Madhe. Ndërkohë vihet re dhe kryerja e pagesave, si dhe konvertimi i parave në kriptovaluta është një tjetër veçori e cila është evidentuar gjatë vitit 2023.