SPAK vijon hetimet për skandalin e koncesionit të sterilizimit, nga i cili u zhvatën 100 milionë euro nga buxheti i shtetit, ndërkohë që kryeministri Rama vijon ta mbrojë sërish këtë koncesion, pavarësisht se ish-zv.ministri fhe biznesmeni që përfitoi janë në burg.
Teksa nën hetim është edhe ish-ministri Ilir Beqaj, KLSH ka publikuar edhe një nga pasojat që ka ardhur pas zhvatjes së fondeve të shëndetësisë.
Sipas raportit e auditit të KLSH, rezulton se në Spitalin Onkologjik nuk është funksionale pajisja mjekësore e Brakiterapi (Kyriterapi), që ka lënë pa trajtim mbi 600 gra, duke rrezikuar seriozisht shëndetin e tyre.
Por edhe më i rëndë është fakti se mosvendosja në funksion e aparatit të Ortovoltazhit, nga Drejtoria e Përgjithshme e Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” për mungesë të ambienteve, ka sjellë mostrajtimin e 200 pacientëve me radioterapi që vuajnë nga tumoret e lëkurës (Melanoma).
Janë të shumta mangësitë që KLSH ka konstatuar në spitalet rajonale dhe në Qendrën Spitalore Universitare Tiranë “Nënë Tereza”, që për mungesë fondesh, nuk mund t’i shërbejnë qytetarëve që vuajnë nga sëmundje të rënda.
Raporti i KLSH-së tregon më së miri sesi babëzia e disa personave ka sjellë rrezik për jetën e mijëra qytetarëve, ndërkohë që kryeministri Rama vijon të mbrojë koncesionet korruptive, ndërsa “Shëndetësia falas” mbetet ende një nga mashtrimet më të këqija të kryetarit të qeverisë.