Arrestimi i policëve/ Rama: Çfarë kufiri kaluan? Serbia po thotë që njeh Kosovën?

Kryeministri Edi Rama ka folur sot për situatën mes Kosovës dhe Serbisë, në një konferencë për shtyp të mbajtur në ambientet e Kryeministrisë.

Rama tha se nuk mund të ketë normalitet në marrëdhëniet Shqipëri-Serbi pa u liruar 3 policët e Kosovës. Kjo pasi siç tha ai preket interesi kombëtar i Shqipërisë nga tensioni mes dy vendeve. Gjithashtu Rama paralajmëroi se klima e tensionit po rritet me orë “duke rrezikuar seriozisht një përplasje fatale të armatosur mes grupeve që operojnë në Veriun e Kosovës dhe forcave të sigurisë, çka do të ishte një katastrofë në mes të së cilës do të përfshihej paevitueshmërisht KFOR-i”.

“Çdo ditë është shumë e dëmshme për vetë Serbinë, rajonin. Është vetëm keq. Serbia nuk e njeh farë atë kufi? Çfarë ka ndodhur tani? Po njeh kufirin? Kjo është një lajthitje shtetërore. Nuk ka më asnjë zhvillim tjetër në marrëdhëniet tona pa u zgjidhur kjo.”

“I kam nisur letër të dytë Macron dhe Scholtz lidhur me një shtysë konkrete, me mbështetjen e SHBA, që plani franko-gjerman të zbatohet me doemos. Situata mes Kosovës e Serbisë nuk favorizon asnjë fuqi, përveç Rusisë, ndërsa rajoni i Ballkanit Perëndimor nuk i përket as Albinit dhe as Aleksandrit”, u shpreh Rama.

Rama deklaroi po ashtu se duhet t’i jepet fund lojës politike “Tomi dhe Xherri”.