Rama sulmon SPAK: Ka filluar një lëvizje prokurorësh në garën për mandatin e ardhshëm

Kryeministri Edi Rama ka sulmuar sërish Prokurorinë e Posaçme (SPAK), duke i akuzuar prokurorët për veprime të motivuara nga gara për mandatet e ardhshme brenda institucionit.

Rama u shpreh se “ka nisur një lëvizje sportive prokurorësh”, të cilët sipas tij janë futur në garë për mandatin e ardhshëm të SPAK, duke prerë fletë arreste në tufa për çështje që nuk janë fare penale, apo që në botë hetohen në gjendje të lirë”.

Ai ironizoi procesin e paraqitjeve në Prokurori, duke thënë se “i ngjanin biletave të teatrit”.

“Historia flet për njerëz të jashtëzakonshëm. Ka plot të tjerë njerëz të zakonshëm që kanë pasur mundësinë të bëjnë historinë dhe nuk e kanë bërë. Sot rruga e Shqipërisë dhe yjet që janë bashkuar e kanë sjellë që ne të jemi me historinë në duart tona dhe ta shkruajmë me mendjen dhe forcën tonë, Shqipëria në BE nuk është një etapë, por histori.
Nuk është e lehtë të përqendrohesh kur përtej zhurmës së “bombave artizanale” ka nisur një lëvizje sportive prokurorësh, në garën për mandatin e ardhshëm të SPAK duke prerë fletarreste në tufa për çështje që nuk janë fare penale, apo në rastin më të keq, në botë hetohen në gjendje të lirë. Siç ishte rasti emblematik i Durrësit, ku vetëm prokurori ngeli pa i prerë vetes fletëarrest.
Paraqitjet në prokurori i ngjanin biletave të teatrit”, tha ai.