Kryeministri Edi Rama ka sulmuar kryetarin e Partisë “Mundësia”, Agron Shehaj pas vizitës së këtij të fundit në Mar-a-Lago. Gjatë një takimi që ka zhvilluar në njësinë numër 2 në Tiranë, ashtu siç ndodh zakonisht, Rama ka sulmuar kundërshtarët e tij, por këtë herë ka zgjedhur Shehajn, i cili ka denoncuar aferat korruptive të qeverisë.
“Ej po ky, e patë atë që thoshte “po ju flas nga Mar-a-lago”. Si me shku unë në Trump Tower në Nju Jork dhe të them “po ju flas nga Trump Tower, mbështetje e plotë e reformës”. Megjithatë kokëderr i fortë, dhe me të thënë të drejtën për tu respektuar për faktin që doli vetë atje, sprovë është ajo. Të paktën në kënetë nuk hyri, se për të tjerat pastaj… ajo “ju flas nga Mar-a-lago” ishte e bukur shumë. “Nuk e takova dot të zotin e godinës se ishte i zënë me Agron Gjekmarkajn”- u shpreh Rama.
Sulmi ndaj Agron Shehajt vjen pak ditë pasi kryetari i Partisë “Mundësia” ishte ftuar në rezidencën e presidentit të SHBA-së, Donald Trump. Në video-mesazhin e shpërndarë në rrjete sociale, Shehaj deklaroi se Amerika duhet të vazhdojë të mbështesë luftën kundër korrupsionit dhe krimit në Shqipëri.
Agron Shehaj: Ju përshëndes nga Mar-a-Lago, në këtë vend ku njerëz të pushtetshëm, politikanë, sipërmarrës mblidhen për ti dhënë zgjidhje problemeve të botës. Unë jam këtu në këtë vend ku pjesa më e madhe e politikanëve shqiptarë kërkojnë të vijnë duke lobuar me paratë që u kanë vjedhur qytetarëve shqiptarë në fakt, unë nuk jam këtu për interesin tim por jam këtu për të lobuar për interesin e qytetarëve shqiptarë dhe interesat e Shqipërisë. Amerika duhet të vazhdojë të mbështesë drejtësinë, të mbështesi luftën kundër korrupsionit dhe kundër krimit në Shqipëri. Por nuk mund të presim vetëm nga SHBA por duhet të bëjmë dhe pjesën tonë. Duhet që përfundimisht të heqim dorë nga partitë e vjetra dhe të shikojmë drejt së ardhmes. Ju përshëndes nga Mar-a-Lago.