Rama refuzon ftesën e qeverisë së Kosovës për festimet e 12 qershorit, zëdhënësi i Kurtit: Takohet me ato që do të rregullojë raportet

Zëdhënësi i qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu ka reaguar duke sqaruar se përse kryeministri Edi Rama nuk u takua sot me Albin Kurtin, edhe pse ndodhet në Prishtinë në kuadër të 25-vjetorit të Çlirimit të vendit.

Kryeziu shprehet se Rama po takohet me ato personalitetete më te cilët do të rregullojë raportet, ku duket se në këtë listë nuk është kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Ndër të tjera, sipas Kryeziut, Rama ka refuzuar që të jetë i pranishëm në festimet e datës 12 qershor pavarësisht ftesës që i është bërë nga qeveria e Kosovës.

“Në bazë agjendës së deritanishme, duket që në Prishtinë, Kryeministri i Shqipërisë, Rama, po i takon ata me të cilët konsideron që ka nevojë t’i rregullojë raportet. Në anën tjetër, Kryeministri Kurti, Zyra e tij, e ka ftuar Kryeministrin Rama në aktivitetet që shënojnë 25-vjetorin e çlirimit të Kosovës më 12 qershor. Kryeministri Rama, përkatësisht Zyra e tij, na ka njoftuar që nuk do të mund të jetë i pranishëm me 12 qershor.  Ai është i mirëseardhur që t’i bashkëngjitet aktiviteteve të agjendës shtetërore. Urojmë që vjen në Manifestimin e 146-të vjetorit të Lidhjes së Prizren, sepse Lidhja e Prizrenit nuk është vetëm e Kosovës”, thuhet në reagimin e zëdhënësit të qeverisë së Kurtit.