Rama provokon opozitën: Me votën tuaj do miratoni Bordin e Paqes, unë do jem përfaqësues në Shtëpinë e Bardhë

Kryeministri Edi Rama ka provokuar dhe ironizuar hapur opozitën në Kuvend ndërsa pohoi se sot ajo do të votonte pro ngritjes se marrëveshjes për Bordin e Paqes.

Gjatë fjalës së tij në Kuvend, Rama u shpreh se me votat edhe të opozitës, ai do përfaqësojë Shqipërinë në Bordin e Paqes për Gazën.

Ai ironizoi opozitën duke u thënë që ta çojnë Bordin e Paqes në SPAK, me këtë të fundit që sipas tij është kthyer tashmë në sportel ku lihen letrat e popullit.

“Është vëret po të ardhur keq,  po të mendosh se sot në fakt, ju kishit mundësi të deklaronit fitoren tuaj më domethënëse. Ju fituat sepse për muaj me radhë thatë se Amerika do më bënte mua gjyqin, e ëndërruar prej jush, për t’u kthyer ju në ato karrige, ku nuk do të ktheheni kurrë, po nuk dolët nga poshtë karriget, ku qëndrojnë hije rënda, të ndënjurat e stërgjyshit tuaj. Ju fituat sepse e parlajmëruat popullin që mua do më thërrisnin në Amerikë në datën 20 janar, për t’u parqitur në prokurorinë federale.

Madje ju e vulosët fitoren, kur festuat kërrimit me forcë të Madorus nga shtëpia e tij në Karakas, dhe ju thatë shqiptarëve se ajo ishte provë gjenerale e ushtrisë amerikane, për rrëmbimin e Ramaduros. Mblidheni si qindra Romeo të dëshpëruar një xhuljetë të vetme. Unë nuk tallem kurrë me fitoret tuaja. Ju sot do votoni të vërtetën të madhe, që unë nuk do të detyroj që ushtria amerikane t’i bashkohet protestës tuaj nga tarraca e Kryeministrisë, se do dorëzohem vetë, në duart e autoriteteve ligjzbatuese amerikane, që do vijnë në aeroport në Uashington, të më marrin me eskortë, për t’u ulur si anëtar të Bordit të Paqes. Ju prisni të fitonit me helikopter të ushtrisë amerikane, dhe nuk prisnit që të dorëzohesha vetë. Në fillim thatë nuk ka ftesë.

Doli ftesa, jo po këtë ftesën e ka e gjithë bota. U ngatërruat pak, nuk e keni idenë si strukturohen grupet ndërkombëtare. Rëndësi që do ngrini kartonin, me votën tuaj do miratoni Bordin e Paqes dhe unë do jem përfaqësues në Shtëpinë e Bardhë.”, theksoi ai.

Rama ironizoi deputetët e PD-së në fjalën e tij në Kuvend duke thënë se “non grata” për Sali Berishën do të hiqet në mars 2025.

“Mos e lini pas dore atë punën e non gratës për mua, se siç ju kanë dalë të tëra fjalët do tju dalë fjala edhe për non gratën. Ngërçi i Edi Ramës është se për parlamentin e Shqipërisë ka vetëm një kuotë për non gratë dhe ajo është zënë për meritë. Ai që e ka marrë non gratë e ka merituar në mënyrën më bindëse. Juve do t’ju dalë fjalë që non grata do të hiqet në mars 2025. Pavarësisht që jemi në 2026, do hiqet në mars 2025. Ai që e ka marrë atë kuotën është i paarritshëm në të gjitha pabesitë që i ka bërë popullit shqiptarë dhe kështu që zor shumë që lëviz ajo kuotë”- tha kreu i qeverisë.