Rama premton integrimin, por nga Berlini vjen një sinjal negativ: “Jo zgjerimit të BE”

Kryeministri Edi Rama në këtë fushatë elektorale teksa kërkon mandatin e katërt qeverisës po u premton shqiptarëve “ëndrrën europiane”. Në daljet e shpeshta gjatë prezantimit të kandidatëve që garojnë në 11 Maj, Rama e ka vënë theksin te pashaporta europiane.

Rama u bën thirrje qytetarëve që të votojnë Partinë Socialiste, si e vetmja forcë sipas tij që mund ta fusë vendin në BE, duke premtuar në mënyrë të njëanshme edhe përfundimin e negociatave në vitin 2027.

Kujtojmë këtu edhe sloganin e PS për fushatën elektorale; “Shqipëria 2030 ne BE, vetëm me Edin dhe PS. Por këto deklarata mbeten vetëm një propagandë e qeverisë.

Në marrëveshjen mes dy partive të mëdha CDU dhe SPD për të qeverisur Gjermaninë, një ndër pikat e programit të dakordësuar është bllokimi i zgjerimit të BE-së deri në një reformë të thellë brenda unionit.

Këtë ka konfirmuar sot edhe gazeta gjermane Frankfurter Allgemeine Zeitung në një artikull të gjatë të titulluar: “Refuzimi i zgjerimit të BE-së” me autor, Michael Martens. Ky i fundit ka ripostuar këtë artikull në rrjetin e tij social “X”- ish Twitter duke e përforcuar edhe me një shënim: 

“Qeveria e re gjermane, në marrëveshjen e saj të koalicionit, është shprehur në mënyrë të qartë kundër zgjerimit të BE-së – pra, kundër pranimit të anëtarëve të rinj me status të plotë” ka shkruar Martens.

Në shkrim evidentohet se qeveria e ardhshme federale është skeptike për zgjerimin e BE-së.  Duhet thënë se ky është një sinjal negativ për Ramën, që fushatën e tij e ka fokusuar kryesisht në integrimin europian të Shqipërisë.