Kryeministri Edi Rama i ka shprehur ngushëllimet familjes së Bujar Bukoshit, ish-kryeministrit të Kosovës që u nda nga jeta ditën e sotme.
Kreu i qeverisë thotë se Bukoshi ishte një shqiptar i mirë, njeri i ndjeshëm dhe politikan i rafinuar.
“U prehsh në paqe
Ngushëllimet më të ndjera familjes dhe Kosovës për humbjen e një shqiptari të mirë, politikani të rafinuar e njeriu të ndjeshëm si Bujar Bukoshi”, shkruan Rama.
Bukoshi ishte ndër themeluesit e institucioneve paralele shqiptare gjatë viteve ’90 dhe një nga bashkëpunëtorët më të ngushtë të Presidentit historik Ibrahim Rugova.
Ai u emërua Kryeministër i Qeverisë së Kosovës në ekzil pas shpalljes së Republikës së Kosovës më 1991 dhe për afro një dekadë punoi nga Gjermania për të sensibilizuar botën perëndimore për represionin serb në Kosovë.
I përndjekur nga regjimi serb për shkak të angazhimit të tij politik, në vitin 1990 ai u dëbua dhunshëm nga Klinika e Prishtinës ku punonte si kirurg. Me krijimin e Qeverisë së Kosovës në ekzil, Dr. Bukoshi organizoi rrjetin e donacioneve nga diaspora (“3 përqindëshi”), që mbajti në jetë sistemin paralel të arsimit dhe shëndetësisë në Kosovë.
Pas luftës së Kosovës, ai mori pjesë në negociatat e Rambouillet-së dhe drejtoi Unionin e Fondeve për Rindërtimin e Kosovës (UFORK), përmes të cilit u rindërtuan shkolla, shtëpi dhe projekte kulturore në vend. Më pas shërbeu si deputet, ministër i Shëndetësisë dhe Zëvendëskryeministër në Qeverinë e Kosovës, duke kontribuar në reforma në shëndetësi dhe mirëqenie sociale.
Bukoshi do të mbahet mend si një ndër figurat më të përkushtuara të kohës së rezistencës paqësore dhe të periudhës së ndërtimit të shtetit të Kosovës. Ai ishte një urë lidhëse ndërmjet mjekësisë, politikës dhe mërgatës shqiptare në Evropë. Vdekja e tij lë një boshllëk të madh në jetën publike të vendit.