Rama mbledh gratë për 8 Marsin, por bën propagandë dhe fushatë për 11 Majin

Do të duhej të ishte dita e grave, por 8 Marsi për kryeministrin Edi Rama nuk është gjë tjetër veçse një tjetër ditë propagande dhe fushate për zgjedhjet e 11 Majit.

Kryeministri Edi Rama mblodhi sot dhjetëra gra dhe vajza në një takim me rastin e 8 Marsit, por fjala e tij përpara tyre nuk ishte për rolin e gruas në Shqipëri, por për të hedhur baltë mbi opozitën dhe për të propaganduar punët e “mira” të qeverisë së tij.

Vajzat dhe gratë që kishin lënë familjet e tyre në këtë të shtunë pushimi, u detyruan të dëgjojnë të njëjtat fjalë që kanë dëgjuar prej ditësh në televizione dhe rrjetet sociale ku shfaqet kryeministri.

“Kënetë, buf, TikTok, SPAK, mustaqet e Kujtim Gjuzit dhe anëtarësim në BE” ishin retorika e Ramës përpara grave dhe vajzave, duke ua kthyer takimin e 8 Marsit në një Asamble Socialiste për të hedhur baltë mbi kundërshtarët.