Rama mbërrin në Vlorë, do të takohet me Ivanka Trump

Kryeministri Edi Rama ka mbërritur në Vlorë mbrëmjen e sotme, ku pritet që të ketë një takim me Ivanka Trump, si dhe me arkitektët që kanë shoqëruar gjatë ditës së sotme vajzën e presidentit amerikan Donald Trump.

Ivanka Trump, mbërriti së bashku me bashkëshortin e saj, Jared Kushner, paraditen e kësaj të mërkure në Vlorë mes masash të larta sigurie.

Mësohet se vizita e çiftit Trump-Kushner lidhet drejtpërdrejt me investime strategjike në sektorin e turizmit në Shqipëri. Në fokus të takimit do të jenë investimet e mundshme strategjike në zonën e Vlorës.

Ndërkohë pak më parë ka mbërritur në Vlorë një tjetër delegacion në qytet, ku mendohet se ka qenë një përfaqësues i lartë i SHBA-së.

Kjo nuk është hera e parë që çifti vjen në Shqipëri. Në vitin 2021 ata zgjodhën të kalojnë disa ditë në vendin tonë, ku vizituan ndër të tjera edhe ishullin e Sazanit. Po ashtu edhe në 2024-ën.

Kujtojmë se qeveria shqiptare i hapi rrugën shndërrimit të Sazanit– ishullit më të madh që ka Shqipëria, nga një bazë ish ushtarake në resort elitar për të pasurit. Vlera e investimit parashikohet të jetë 1.4 miliardë euro. 

Komiteti i Investimeve Strategjike që drejtohet nga kryeministri Edi Rama “bekoi” me statusin e investitorit strategjik kompaninë, që ka lidhje me Jared Kushner, dhëndrin e presidentit amerikan Donald Trump.