Arrestimet në radhët e socialistëve, Rama: Nuk kam asnjë anëtar të qeverisë në burg! Oqeanin e kaloj sa herë të dua

Kryeministri Edi Rama gjatë bashkëbisedimit në rrjete sociale, nuk ka lënë pa sulmuar opozitën. Në rubrikën “Sy m’sy” në Facebook, Rama ironizoi edhe procesin e përzgjedhjes së kandidatëve në PD, duke thënë se “më shumë kandidatë nxori Big Brother sesa këneta e tyre”.

“Asnjë sondazh në asnjë ekran nuk e nxjerr dot kënetën jo para, se kjo nuk ndodh, por as afër nesh sa të flitet për një rikthim imagjinar. Puna e tyre ka marrë fund. Është vetëm historia e tyre që besojnë ende tek këneta. E atyre që besuan nga Primaret dhe në fund më shumë nxori Big Brother kandidatë se këneta”, tha Rama.

Po ashtu kreu i qeverisë  i është përgjigjur edhe pyetjes nëse a e kalon dot oqeanin, duke iu referuar Shteteve të Bashkuara të Amerikës, pas rikthimit të Donald Trump.

Rama tha se nuk e pengon asgjë për të shkuar në SHBA dhe për t’u takuar me të gjithë ata që janë në anën e shtetit amerikan.

“Mos ma qaj hallin fare, oqeanin e kaloj sa herë të dua. Edhe për tu takuar me të gjithë atje që janë në anën e shtetit amerikan, edhe për të shkuar për të parë ndeshje basketbolli. Pa merak, rri i qetë. Pyet të tjerët”, tha Rama.

Po ashtu Rama iu përgjigj pyetjes së një komentuesi, i cili i tha se gjysmën e qeverisë e ka në burg.  Sipas Ramës, kjo është qesharake pasi të gjithë ata që janë marrë në hetim dhe janë dërguar para gjykimit, nuk kanë qenë anëtarë qeverie në atë kohë që ka ndodhur por shumë më përpara.

“Kjo e gjysmës së qeverisë në burg është shumë qesharake, unë nuk kam faktikisht asnjë anëtar të qeverisë në burg prej shumë e shumë kohë dhe në fakt po të shikosh të gjithë ata që janë marrë në hetim dhe janë dërguar para gjykimit, nuk kanë qenë anëtarë qeverie në atë kohë që ka ndodhur por shumë më përpara.

Kam 12 vite këtu, edhe ndërkohë ajo që s’duhet harruar, nëse juve ju erdhi dita të flisni për drejtësi, për ministra, për kryetar bashkish, për persona të lidhur me pushtetin politik, por edhe ish-presidentë, ish-kryeministria, kjo nuk është ditë që erdhi nga qielli, por erdhi nga PS me mua në krye”, tha Rama.