Rama bëhet nostalgjik, i uron ditëlindjen Fatos Nanos: Gëzuar i dashur Kryetar, pa ty rruga drejt BE-së do kishte qenë shumë e gjatë

Kryeministri Edi Rama i ka uruar sot ditëlindjen ish-kryetarit të Partisë Socialiste, Fatos Nano.

Teksa Shqipëria hapi sot edhe 4 kapituj për anëtarësimin në BE, Rama është bërë nostalgjik duke u kthyer pas në kohë duke thënë se ai ka një merita të madhe në rrugën europiane të vendit. Sipas Ramës, Nano e ktheu Partinë Socialiste në një forcë me sy e me zemër nga Europa.

Sipas kryeministrit Rama, pa Nanon rruga drejt Bashkimit Europian do të kishte qenë më e gjatë.

Postimi i Ramës:

Në këtë ditë të shënuar të lindjes së tij – teksa pas hapjes së 4 kapitujve të tjerë të negociatave të anëtarësimit, po udhëtoj për të mbajtur një leksion në Kolegjin legjendar të Europës në Bruzh – më erdhi krejt natyrshëm dëshira që t’i uroj publikisht Fatos Nanos, liderit historik të Partisë Socialiste, një ditëlindje të gëzuar dhe jetë të gjatë 100 vjet❤️
Sot kur Shqipëria e sheh nga afër majën ku duhet të ngjitet pas një rrugëtimi të stërgjatë, dua të them se si pjesë e këtij rrugëtimi, Fatosi ka meritën e madhe që e ktheu partinë tonë në një forcë me sy e me zemër nga Europa dhe sikur ta mendosh për një moment, atë fazë të parë të historisë së Partisë Socialiste, në Shqipërinë e zhytur në vorbullën e rrumpallës demokratikase, pa Fatos Nanon në krye të saj, mendja të thotë se rruga jonë mund të kishte qenë shumë më gjatë
Respekt, përqafime dhe gëzuar i dashur Kryetar